Lajme
Rrëfimi i policëve që përcaktuan fatin e Banjskës
Demokracia
21:31 | 01 Janar 2024

Share:

Rasti i Banjskës mund të ishte krejt ndryshe nëse reagimi i Njësisë Speciale të Kufirit nuk do të ishte aq i shpejtë. Kjo njësi ka qëndruar në Banjskë derisa aty kanë mbërritur ekipet elitare për të kryer pjesën tjetër të aksionit. Identifikuan pamjet e para të grupit terrorist e alarmuan për rrezikshmërinë e situatës. Vendosën pikat fillestare, pa të cilat aksioni zor se do të mbyllej në mënyrën se si u mbyll.

Në situata të jashtëzakonshme e të paparashikueshme si ajo e sulmit në Banjskë, janë ekipet e para policore që dalin në vendin e ngjarjes që e përcaktojnë rrjedhën e aksionit.

Policët kufitarë të Njësisë Speciale të Kosovës, që rastisën të jenë kujdestarë më 24 shtator, ndryshuan mënyrën se si do të flitej për sulmin terrorist të Banjskës.

Të shoqëruar nga ekipi i KOHËS, disa nga anëtarët e ekipeve të para që u përballën me sulmin e Banjskës morën sërish rrugën, por kësaj radhe për të sqaruar sulmin që ndërroi rrjedhën e shumë zhvillimeve në vend.

Historia e Banjskës mbase mund të dukej krejt ndryshe nëse Policia e Kosovës nuk do të reagonte ashtu siç ka reaguar.

Lufta për të mos e braktisur Afrimin

Një burrë rreth të katërdhjetave e jo fort i madh me trup, pjesë e Policisë së Kosovës qe 23 vjet, është një nga njerëzit e parë që arriti tek ura në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku dyshohej fillimisht për krejt diçka tjetër. Ka afro 2 vjet që është pjesë e Njësisë Kufitare, njësi që është pjesë e atyre speciale.

Ai dhe ekipi i policëve që e kanë shoqëruar janë personat e parë që dolën në vendin e ngjarjes, në orët e para të 24 shtatorit, fillimisht për shkak të dyshimeve për kontrabandë. Megjithatë, eksperienca në veri i bëri dyshues edhe për rastet kur duken krejt të thjeshta.

Ata kanë pranuar të flasin me zë e fotografi, por nuk kanë dashur të identifikohen me emër.

“Fillimisht e kemi vlerësuar si një barrikadë që e bëjnë kontrabandistët dhe e bëjnë disa njerëz të papërgjegjshëm, për përfitime të tyre personale. Por bazuar edhe nga barrikadat e mëhershme kemi pasur një kujdes të veçantë se mund të ndodhë edhe ma e keqja”, ka thënë ai.

Ai dhe ekipi do të kërkonin asistencë nga ekipi patrullues në Zveçan, ku ishte edhe polici tashmë i vrarë, Afrim Bunjaku. Deri në ato momente gjithçka ishte e qetë.

“Fillimisht ne kemi kontaktuar këtu bashkë me të. Pastaj kolegu që ka qenë i plagosur është pozicionuar pak metra larg kamionit. Afrimi ka qenë aty afër kur kemi filluar tërheqjen e kamionëve”, ka treguar ai.

Një krismë e fuqishme u dëgjua, sipas tij, në ato momente. Një granatë ishte hedhur në drejtim të tashmë heroit Afrim Bunjaku.

“Në atë moment është dëgjuar detonimi edhe e kam parë që Afrim ka rënë në tokë. Prej atje jam tërhequr dhe i jam afruar rreshterit. E kam parë që është në gjendje të rëndë. Kam provuar t’ia jap ndihmën e parë, por ka qenë e pamundur prej breshërive të armëve që kanë qenë të pareshtura – pa u ndalur asnjëherë”, rrëfen ai.

Në ato orë kur ishte e pamundur të identifikohej se nga po vinin plumbat e sulmet, policët filluan të përgjigjeshin pa e ditur cakun.

“Kam filluar të gjuaj edhe unë në atë drejtim ku kam besuar që ka të shtëna, në ndërkohë e kam vërejtur që edhe një koleg ka qenë i plagosur. Policët kanë filluar të shtien, me gjuajte me armë në atë drejtim ku kanë besuar që u vjen rrezik. Kështu kemi filluar t’i marrim pozitat tona për t’u mbrojtur nga sulmet e mëtutjeshme”, kujton ai momentet kur pothuajse kishin mbetur pa shumë opsione për dyluftim me grupin që ende s’dinin asgjë për ta, shkruan Koha.

Numri i policëve që ishin aty nuk dihej. Është raportuar për 6 zyrtarë nga dy ekipet, por kjo nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Ata ishin të ekspozuar në sy të grupit terrorist për shkak të ndriçimit të pjesës ku ishin.

Dëmtuam dritat në shtylla, të paktën për t’ua vështirësuar atyre identifikimin se ku po qëndronin.

E pas kësaj, kur rreziku tashmë dihej qartë që ishte i madh e dilema a mund të shpëtonte dikush po ashtu ishte e madhe, hapi tjetër ishte tërheqja e policit të plagosur, Afrim Bunjaku.

Por kjo nuk ishte e thjeshtë. Deri te vetura që ishte larg disa metra, ky zyrtar policor do të detyrohej të shkonte dhe pa ndonjë mbrojtje nën breshërinë e plumbave. Rreziku që edhe ai të vritej ishte i madh.

“Gjatë gjithë kohës kemi tentuar që ta tërheqim Afrim nga vendi i ngjarjes, që mos ta lëmë këtu. Kanë qenë veturat e vendosura atje”.

Rreziku ishte që vetura të dëmtohej e të pamundësohej tërheqja e policit Afrim Bunjaku që në atë momente ishte i plagosur.

“Kam shkuar edhe e kam marrë veturën prej atje edhe në atë breshëri të armëve që gjatë gjithë kohës unë jam përcjellë me breshëri të armës për shkak që kam lëvizur. E kam sjellë veturën këtu e kam parkuar. Në ato momente, gjatë vozitjes me veturë jam goditur nuk e di sa herë nga snajperët. Jam goditur edhe në gomën e parë të pasagjerit”, tregon ai.

Por përpjekjet e grupit të dyshuar terrorist ishin të pasuksesshme. Fati ishte në anën e Policisë së Kosovës.

“Janë munduar të na e pasivizojnë veturën. Unë nuk jam ndalur. E kemi futur në veturë Afrimin dhe pastaj jemi nisur në drejtim të spitalit”, thotë ai, teksa kohë pas kohe tregon pozicionimet e sakta të asaj nate.

Ky polic nuk e ka njohur me herët kolegun e tij Afrim Bunjaku, meqë ishin në njësi të ndryshme. Por në ato momente thotë se shpëtimi i jetës së Afrimit ishte qëllimi më i rëndësishëm për të.

“Në ato momente ai ka qenë njeriu me i afërt për mua. Unë nuk e kam shikuar i cilës njësi është apo si është. Ai për mua ka qenë njeriu më i afërt. Nuk kam mendu asgjë tjetër përpos që jam munduar me mish e me shpirt që atë ta çoj të gjallë në spital, por nuk ia kam arritë”, rrëfen ai.

Pozicioni që përcaktoi suksesin e aksionit

Dy policë e shoqëruan Bunjakun për në spital, ndërkohë tre të tjerë mbetën në vendin e ngjarjes, ndër ta edhe një i lënduar.

Përderisa ishin rrugës për në spital, në Banjskë arritën ekipet e Njësisë së Reagimit të Shpejtë që bëjnë pjesë në Njësinë Kufitare. Ata, sipas policëve, arritën nga kampi qendror në Koshtovë të Mitrovicës.

Një nga policët e tjerë që arriti atë natë në vendin e betejës ka rrëfyer përballjen me grupin terrorist. Krismat e pandërprera të armëve ende pa arritur te vendi i ngjarjes i bënë atë dhe pjesëtarët e ekipit të kuptojnë rrezikun në të cilin ndodheshin kolegët e tyre, që tashmë ishin në Banjskë.

“Momenti i hyrjes në fshat, tek kjo pjesa e lugajës e kemi vërejtur që situata është shumë serioze, sepse gjuajtjet ishin të shumta me armë dhe kishte detonime të fuqishme, ato sigurisht vinin nga zollat apo granata e dorës. Jemi futur brenda, i kemi tërheq policët prej pritës, policin tonë të plagosur e kemi dërguar menjëherë në Emergjencë dhe prapë jemi kthyer në vendin e ngjarjes dhe jemi ripozicionuar në afërsi të vendit të ngjarjes diku 100 metra. Kemi qëndruar aty derisa na kanë ardhur në asistencë edhe dy ekipe të njësitit tonë”, ka thënë ai.

Kjo njësi, pra Njësia për Reagim të Shpejtë, që është në kuadër të Njësive Speciale, qëndroi në ballë të sulmeve për rreth 5 orë. Rreth orës 8 mbërritën njësitë elitare të Policisë së Kosovës për ta udhëhequr pjesën tjetër të aksionit. KFOR-i ishte i njoftuar, por ata nuk ishin aty. Për këto orë ata ishin krejt të vetëm në ballë të asaj që konsiderohej jo më pak si arenë lufte.

Gjatë kësaj kohe ai rrëfen se herë pas here pushonin të shtënat.

“Detonime ka pasur gjatë gjithë natës. Ne po dyshojmë që kanë qenë nga zollat apo granatat e dorës. Jemi gjuajtur me të gjitha mjetet edhe me mitraloza, jemi gjuajtur edhe me armë snajperi. Mjeti jonë është qëlluar edhe me snajper, por pa pasoja, meqë ishte i blinduar, kështu që me sukses e kemi përballuar këtë situatë shumë të rendë deri në 8:30 të mëngjesit, kur kanë ardhur njësitë e tjera”, ka thënë ky polic rreth të pesëdhjetave.

Paralajmërime për rritje të vigjilencës për sulme të mundshme pati, por askush nga policët nuk ka menduar se në Kosovë do të futej një grup kaq i organizuar.

Një nga veprimet që kjo njësi bëri e që do të pasqyronte me së miri atë se çfarë ka ndodhur në Banjskë ishte përdorimi i dronit. Pamjet e mëngjesit të se dielës do të kapnin edhe figurën më të përfolur, kryekriminelin e veriut, Milan Radoiçiq.

“Pastaj kanë filluar edhe planet e tjera, identifikimi i sulmuesve, identifikimi i pikave nga ku po sulmojnë, kështu që edhe është përdorur droni. Ai dron, ato imazhet e dronit janë pikërisht prej vendit të ngjarjes, prej njësitit tonë, Drejtorisë tonë që i kanë bërë ato incizime, pra incizimet e para që janë në muzg si errësirë duket pak grupi terrorist. Është përdorur droni edhe për identifikim nga po gjuanin në drejtim tonin”, ka treguar ai.

Këto pamje u shpërndanë në mediat ndërkombëtare duke i bërë jehonë rastit, përveç identifikimit të grupit kriminal. Nga këto pamje u identifikuan llojet e armëve që kishin në përdorim e u vendosën pozicionet e policëve, që mbase përcaktuan fatin e suksesshëm të aksionit.

Këto pamje u përdorën nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili i cilësoi si dëshminë me të fortë të këtij rasti.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radoiçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS-ja e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, pati thënë ai më pak se 48 orë pas sulmit.

Por një nga policët e ekipeve shtesë pas sulmit mbi heroin Afrim Bunjaku tregon që në ato momente gjëja më e rëndësishme ishte mbledhja e informatave e identifikimi për përmasat e rrezikut të goditjeve që rrallë pushonin.

“Kemi bërë identifikimin – ato pamje që i kanë marrë mediat ndërkombëtare. Kemi bërë shkëmbim zjarri me palën kundërshtare”, ka treguar ai.

Vrasja e Afrim Bunjakut e bëri më të fuqishëm motivin për qëndrueshmëri përballë terroristëve.

“Është e vërtetë që është një humbje, por nuk do të thotë që është një demotivim. Rasti i tillë na shtyn të bëjmë më shumë”, thotë polici që ishte pranë heroit Afrim Bunjaku në momentet e fundit të jetës së tij.

E polici tjetër që ishte në ekipin që mbajti frontin për pesë orë deri në ardhjen e FIT-it, njësisë elitare që zhvilloi aksionin, thotë që në ato momente askush nga policët nuk e mendonte vdekjen.

“Besoni, vdekjen nuk e kemi menduar në asnjë mënyrë. Kemi qenë të gatshëm në momentin që hyjmë në zjarr… vetëm vetëdija e lartë të bën që të jesh i gatshëm edhe për flijimin, të flijohesh për këtë vend e për këtë tokë”, rrëfen ai.

Sulmi në Banjskë ka rritur vigjilencën e policëve dhe të institucioneve për sulme të tjera të mundshme.

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024