Sport
Rrëfimi emocional i Tahir Lushtakut: Është hera e parë që flasë për familjen Jashari, ua kemi borxh që me punë ta ndërtojmë vendin
Demokracia
22:02 | 07 Mars 2021

Share:

Trajneri i futbollit i cili vjen nga Drenica, Tahir Lushtaku në një rrëfim emocional ka folur për rënien heroike të familjes Jashari.

Janë bërë 23 vjet nga Epopeja e UÇK-së, ku familja Jashari në krye me komandantin legjendar Ademin, ranë heroikisht, raporton Demokracia.com.

Lushtaku për herë të parë është rrëfyer për ditën kur nisën luftimet në fshatin Prekaz.

“Është hera e parë që flasë për familjen Jashari, kam emocione, nuk kam folur kurrë për luftën dhe sakrificën që kanë bërë Jasharët. Mendoj se ka qenë një sakrificë jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë Lushtaku në “ATV”, duke vazhduar:

“Edhe pse i kam njohur personalisht, kam pasur rastin t’i takoj. Ndoshta më takon mua shumë pak të flasë edhe pse i takoj atij fshati. Ata kanë bërë shumë për këtë vend”.

Ai ka thënë se të gjithë ua kanë “borxh” Jasharve për të punuar me ndershmëri për vendin.

“Ne ua kemi borxh që me punë ta ndërtojmë vendin secili me lëminë e vet. Më kujtohet si sot dita kur kanë nisur luftimet dhe kur ka nisur shkrepja e parë e armës nga forcat serbe”, tregon ish-trajneri i Drenicës.

“Unë kam qenë në shtëpinë time dhe jam zgjuar duke thirrur vëllain tim Ilirin, i cili është dëshmor i kombit dhe ai ka qenë pjesë e pandashme e Jasharëve. Më kujtohet ajo ditë shumë mirë dhe e kujtoj çdo herë sepse ka qenë ditë e vështirë për të gjithë ne. Aty deri nga dita e parë deri në ditën e tretë është bërë një luftë e madhe deri në rënien e familjes Jashari”, shtoi ai. /Demokracia.com

Të ngjashme