Sport
Rrëfehet Taulant Xhaka: Reja gënjen, ja e vërteta me Kombëtaren
Demokracia
11:59 | 06 Tetor 2021

Share:

Ka një krisje përfundimtare mes Edi Rejës dhe Taulant Xhakës në Kombëtare. Trajneri deklaroi dy ditë më parë në konferencën për shtyp se mesfushori i Bazelit e ka refuzuar disa herë ftesën për t’u grumbulluar me kuqezinjtë. Kjo nuk i ka pëlqyer Xhakës, i cili pretendon se nuk ka marrë asnjë ftesë për ndeshjet e radhës kundër Hungarisë dhe Polonisë. .

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori kuqezi shpjegon edhe bisedën që ka pasur me stafin e përfaqësueses në shtator dhe se ia ka shpjeguar ndihmësit të Rejës, Bulkut, problemin që ka pasur me dëmtimin

 

Taulant, pse po e refuzoni Kombëtaren e Shqipërisë?

Nuk e kam refuzuar asnjëherë Kombëtaren. Kush ka thënë që e kam refuzuar Kombëtaren, atëherë gënjen.

E ka thënë trajneri i Kombëtares, Edi Reja, në konferencën për shtyp…

Atëherë më vjen vërtet shumë keq, por më duhet ta kundërshtoj këtë. Nuk e kam refuzuar Kombëtaren, sepse nuk kam marrë asnjë ftesë. Kaq e thjeshtë është…

Po trajneri përse e thotë këtë?

Po e përsëris, unë si Taulant nuk e kam refuzuar kurrë Shqipërinë. Nuk e di pse e thotë Edi Reja këtë, por nuk është e vërteta ashtu. Ai nuk më ka bërë asnjë ftesë për dy ndeshjet e radhës. Kaq.

Po në shtator morët ftesë nga Kombëtarja?

Po, kam marrë.

Po pse nuk erdhët?

Sepse vija pas një dëmtimi shumë të gjatë. Kisha një vit jashtë fushave. Por, gjithsesi, unë kam qenë korrekt me stafin e Kombëtares sepse kam folur me Ervin Bulkun që është edhe asistenti i trajnerit Edi Reja.

Çfarë i thatë Bulkut?

I thashë që kam 1 vit që qëndroj jashtë fushave. Sapo jam kthyer të luaj me skuadrën time, Bazelin. Për më tepër, e ndjeja edhe vetë se nuk isha në 100% të formës sime. Mendoj se është e ndershme t’i thuash Kombëtares sate se nuk je i gatshëm 100%. Unë ia kam thënë këtë dhe kjo është e faktuar. Ndërkohë që është edhe e rrezikshme për një futbollist.

Në ç’kuptim është e rrezikshme?

Është e rrezikshme, sepse unë kisha 1 vit i lënduar. Kur nuk je rikuperuar plotësisht dhe shkon të luash ndeshje ku duhet të japësh më të mirën, atëherë jo vetëm që rrezikon të mos luash mirë, por edhe të dëmtohesh.

Kisha frikë nga një dëmtim tjetër dhe kush luan futboll, e di se çfarë do të thotë të vish nga një dëmtim i rëndë pasi ke qëndruar 1 vit jashtë. Kaq është e gjitha. Por, unë ia kam shpjeguar të gjitha këto Bulkut. Tani nuk e kuptoj pse del trajneri dhe thotë që kam refuzuar Shqipërinë. /Demokracia.com

Të ngjashme