Sport
Rrahmani s’është gati ende, hoqi dorë nga Kosova për të qëndruar në Napoli për t’u riaftësuar
Demokracia
17:38 | 09 Tetor 2023

Share:

Amir Rrahmani nuk është gati ende për të luajtur.

Futbollisti kosovar po e vuan ende lëndimin e pësuar më 20 shtator në ndeshjen e Ligës së Kampionëve me Napolin.

Dhe, mediumi italian “Il Mattino” raporton se qendërmbrojtësi është marrë vesh me Federatën e Futbollit të Kosovës për të mos iu përgjigjur ftesës për ndeshjet e tetorit, në mënyrë që ta vazhdojë programin e punës për t’u riaftësuar nga lëndimi.

Ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit, Lokomotivës së Zagrebit dhe Veronës flitej se do të vinte në Kosovë, por për të ushtruar i vetëm, në mënyrë që të ishte më afër familjes dhe vendit të tij.

Por, stafi mjekësor i Napolit i këshilloi atij të qëndronte në qendrën stërvitore të klubit dhe të ushtrojë për t’u bërë gati për ndeshjen kundër Veronës, e cila do të luhet pas mbarimit të ndeshjeve të Kombëtareve.

Rrahmani e kishte pësuar një lëndim të lehtë në ndeshjen e Kosovës me Rumaninë në muajin shtator, ndërsa më pas lëndimi i ishte përsëritur edhe tek Napoli.

Tash, futbollisti kosovar po punon që të rikthehet edhe më i fortë, me shpresën që nuk do t’i përsëriten më lëndimet.

Të ngjashme