Lajme
Roth: BE-ja të mbajë premtimin, të liberalizohen vizat për Kosovën
Demokracia
22:48 | 29 Mars 2022

Share:

Ish-ministri shtetëror gjerman për Evropë, Michael Roth, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një shkrim në Twitter, pas takimit me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, deputeti gjerman ka thënë se Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor na takojnë dhe meritojnë më shumë se veç fjalë goje. BE-ja duhet t’i mbajë premtimet: Duke nisur nga bisedimet për pranim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë ai.

Roth kishte shërbyer në postin e ministrit shtetëror për Evropën në periudhën 2014-2021, nën Angela Merkelin.

Premtimi për liberalizim ka vjet që i është dhënë kosovarëve. Së fundmi, ishte votimi i demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2018 që u konsiderua kriteri i fundit i përmbushur për liberalizimin.

Të ngjashme