Lajme
“Rolex” i Sveçlës: Dhurata që pranoi ligjërisht i takon institucionit, sepse ishte protokollare dhe jo personale
Demokracia
17:46 | 05 Qershor 2022

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar lidhur me orën e markës ‘Rolex’, të cilën e pranoi si dhuratë protokollare nga Kryeministri i Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani.

Ministri Xhelal Sveçla, ndonëse ishte në vizitë zyrtare dhe po e pranon që dhuratën e ka marrë gjatë shkëmbimit të dhuratave protokollare, ai po pretendon se orën në vlerë 20 mijë dollarë e ka marrë si dhuratë personale, por që ka vendosur ta lë në MPB si pronë të shtetit. Sipas ligjit, dhurata që ka pranuar Sveçla është protokollare – jo personale dhe si e tillë i takon institucionit, shkruan Demokracia.com.

“Po, është e vërtetë se gjatë vizitës sime në Katar, në kuadër të Panairit Milpol, kam pranuar një dhuratë nga Kryeministri i Katarit, një orë dore e markës Rolex, të cilën edhe pse është dhuratë personale kam vendosur që të mos e mbajë personalisht, por të njëjtën ta deklaroj dhe të mbetet si pronë për MPB-në, si shenjë miqësie mes dy vendeve tona. Në të njëjtën kohë, e kam njoftuar edhe eprorin tim, kryeministrin Kurti, gjithmonë bazuar në rregullativën ligjore”, ka thënë ai për T7.

Në ligjin Nr. 04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar, në neni 11 pika 1 thuhet se “Personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë, ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit.

Po ashtu, në nenin 11 pika 2, thuhet se “dhuratat protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme”.

Në këtë ligj nuk sqarohet se çfarë nënkupton një dhuratë personale, por në shkresën për Kurtin, Sveçla e pranon edhe vetë që kjo ishte dhuratë protokollare.

“I nderuari Kryeministër, Z. Albin Kurti, Me këtë shkresë dëshiroj të ju njoftoj se, gjatë vizitës sime në Katar, në kuadër të Panairit Milipol, pas takimit me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme të Katarit Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani janë shkëmbyer dhuratat protokollare. Dhurata e dorëzuar nga Kryeministri i Katarit, përmes zyrtarit ndërlidhës së tyre, u dhurua pas takimit dhe e mbyllur”, thuhet ndër të tjera në shkresën e Sveçlës, përcjell Demokracia.com.

Në pikën 8 të ligjit, thuhet se dhuratat protokollare bëhen pronë e institucionit në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën, kështu që kjo nuk varet prej vullnetit të ministrit Sveçla, por është obligim ligjor.

Neni 11
Pranimi i dhuratave

1. Personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për
anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë, ose
mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe
dhuratave të rastit.

2. Dhuratat protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe
të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera dhe dhuratat e sjella në kushte
të ngjashme.

3. Zyrtari nuk mund të marrë më shumë se një dhuratë në vit nga i njëjti person, apo institucion.

4. Personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata monetare.

5. Menjëherë pas pranimit, ose pas kthimit në vend, zyrtari duhet të paraqesë dhuratën.

6. Personi zyrtar duhet ta informojë me shkrim eprorin e tij, nëse i është ofruar ose dhënë një
dhuratë pa paralajmërim dhe në rrethana specifike. Në rast se personi zyrtar është drejtues
institucioni, ai duhet ta informojë Agjencinë.

7. Nëse dhurata e rastit nuk është e karakterit personal, ajo menjëherë bëhet pronë e institucionit
në të cilën personi zyrtar ushtron detyrën.

8. Dhuratat protokollare bëhen pronë e institucionit në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën.

9. Dhuratat protokollare si: simbolet shtetërore, medaljet dhe shenjat protokollare, mund të
përdoren gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Neni 12

1. Të gjitha dhuratat e pranuara dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave që kanë
dhënë dhuratën, duhet të regjistrohen në regjistrin e dhuratave nga personi zyrtar që
përcaktohet nga Agjencia dhe që mbahen nga institucioni, në të cilin personi zyrtar ushtron
detyrën.

2. Institucionet sipas paragrafit 1 të këtij neni, duhet t’i emërojnë zyrtarët përgjegjës për mbajtjen
e regjistrit të dhuratave dhe duhet ta informojnë Agjencinë për emrat dhe pozitat e personave
përgjegjës.

3. Me kërkesën e personit zyrtar që ka pranuar dhuratën, Agjencia me vendim mund të lejojë të
merret dhurata nëse ekzistojnë arsye bindëse se dhurata i është dhënë për qëllime personale
dhe nuk ndikon ose nuk duhet të ndikojë në kryerjen e detyrës zyrtare.

4. Regjistri i dhuratave është publik. Institucionet përkatëse janë të obliguara të sigurojnë qasjen
e publikut në regjistër, në pajtim me procedurat e përcaktuara më Ligjin për qasjen në
dokumentet zyrtare.

5. Institucionet publike që janë të obliguara të mbajnë regjistër të dhuratave duhet t’i
dërgojnë në Agjenci kopjet e regjistrave të vitit paraprak, por jo më vonë se më 31 mars të vitit në
vijim.

6. Agjencia kontrollon regjistrat e dhuratave dhe në rast të ndonjë devijimi, u kërkon
institucioneve të marrin masa për zbatimin e plotë të këtij ligji.

7. Nëse Agjencia konstaton se personi zyrtar i ka shkelur dispozitat e këtij ligji dhe nëse shkelja
nuk dyshohet se përbën vepër penale, informon institucionin në të cilin personi zyrtar ushtron
detyrën dhe kërkon që ndaj shkelësit të merren masa disiplinore. Institucioni përkatës duhet ta
informojë Agjencinë për masat disiplinore që janë marrë ndaj personit zyrtar.
8. Në raste dyshimi për vepër penale, Agjencia pas hetimeve të kryera, ia paraqet
kallëzimin penal prokurorisë kompetente.

 

Ndryshe, para një jave, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka qenë për vizitë në Katar. Atij i është dhuruar një orë “Rolex” nga Kryeministri i Katarit.

Sipas çmimeve të publikuara nëpër faqe në internet, ora më e lirë nga kjo firmë kushton 5 mijë e 700 dollarë. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme