Lajme
Roja e sigurisë e ambasadës britanike i dyshuar si spiun rus, ekstradohet nga Gjermania në Britani
Demokracia
19:50 | 06 Prill 2022

Share:

 Një roje sigurie në ambasadën britanike në Berlin, i dyshuar për spiunazh për Rusinë, është ekstraduar nga Gjermania dhe do të paraqitet në një gjykatë në Britani të Madhe të enjten, tha sot policia.

David Smith, 57-vjeç, u arrestua nga policia gjermane më 10 gusht të vitit të kaluar dhe akuzohet se kishte mbledhur informacion nga ambasada britanike në Berlin, me qëllim që t’ia kalonte atë një shteti të huaj.

Një nga nëntë akuzat lidhet me pretendimet se ai i ka dhënë informacion një personi që ai besonte se ishte përfaqësues i shtetit rus, tha Shërbimi i Prokurorisë.

Veprat e supozuara janë kryer midis tetorit 2020 dhe gushtit 2021.

Nick Price, kreu i Divizionit Special të Krimit dhe Kundër Terrorizmit, tha se David Smith akuzohet për nëntë vepra në kundërshtim me Aktin e Sekreteve Zyrtare.

“Ai akuzohet për shtatë vepra të mbledhjes së informacionit me qëllim dërgimin e tij tek autoritetet ruse, një për tentativë komunikimi dhe një për dhënie informacioni një personi që ai besonte se ishte anëtar i autoriteteve ruse. Pas shqyrtimit të çështjes dhe autorizimit të akuzave, ne morëm një urdhër ekstradimi dhe punuam ngushtë me homologët tanë gjermanë për ta rikthyer Smith në Britani të Madhe”, tha ai.

Smith ishte monitoruar nga MI5 dhe u arrestua në Potsdam mbi akuzat se kishte punuar “për një shërbim sekret të huaj”, tha prokurori publik gjerman në atë kohë.

Arrestimi i tij ishte rezultat i një hetimi të përbashkët nga autoritetet gjermane dhe britanike dhe hetuesit kontrolluan shtëpinë dhe zyrën e tij, thuhet në deklaratën e prokurorit, transmeton Sky News.

Të ngjashme