Lajme
Rizvanolli e kupton se nuk kursehet rryma me “joysticka”, kërkon forma të reja të kursimit
Demokracia
22:16 | 10 Gusht 2022

Share:

Një dimër i vështirë po parashikohet për kosovarët sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot ua kumtoi qytetarëve lajmin e hidhur dhe apeloi që ta kursejnë energjinë, për shkak të krizës se prodhimit dhe importimit, e cila pritet të vijojë gjatë dimrit të ardhshëm.

Në një konferencë për media, Rizvanolli bëri të ditur se kanë marrë disa masa emergjente për kursimin e energjisë elektrike, ashtu sikurse shtetet e tjera evropiane.

Duke treguar format sesi duhet të kursejmë, Rizvanolli la të kuptohet se tashmë e ka kuptuar se energjia nuk kursehet me duke mos i përdorur konsolat e videolojërave, shkruan Demokracia.com.

“Besoj është qartë tashmë, që dimri i ardhshëm do të jetë tejet i vështirë për Evropën. Kjo do të ndikojë edhe tek ne për import të energjisë. Në këtë aspekt është mirë që edhe ne të jemi të vetëdijshëm, për vështirësitë që po na presin. Ne jemi duke ndërmarrë të gjitha masat që janë të realizueshme. KEK-u është duke i bërë të gjitha përpjekjet në mënyrë që ndërhyrjet e Kosovës A dhe B të përfundojnë para dimrit”, tha ajo.

Rizvanolli, po ashtu, ka bërë të ditur se edhe peleti do të jetë pjesë e listës së produkteve esenciale, të cilave do u përcaktohet, sipas saj, një çmim i përballueshëm për qytetarët.

”Duhet të kursejmë energji, sa i përket masave që po marrim si qeveri. Çmimi i peletit është çështje që preokupon qytetarët, por na preokupon edhe neve si Qeveri. Do të shohim edhe nga ana e rregullimit të çmimeve. Është duke u përgatitur një rregullore për çmimet e produkteve esenciale. Edhe peleti do të llogaritet brenda listës së produkteve esenciale. Do të shtojmë përpjekjet në mënyrë që vjedhja e energjisë elektrike të parandalohet”, tha ajo.

Rizvanolli tha se kursimi i energjisë elektrike do të jetë kyç dhe secili qytetar duhet të bëjë maksimumin.

”Secili prej nesh, jemi duke bërë maksimumin, në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta kalojnë më lehtë këtë dimër”, shtoi ajo.

Në fund të vitit të kaluar kur Kosova po përballej me mungesë të energjisë elektrike, Rizvanolli u bënte thirrje qytetarëve që të mos i përdorin konsolat e videolojërave, deklaratë kjo që u bë virale dhe me të cilën u tallën shumë qytetarë.

Ajo atëherë tha se “joystickat” shpenzojnë relativisht shumë dhe problemi qëndron pikërisht kur janë në rrymë e nuk përdoren.

”Konsolat e videolojërave shpenzojnë relativisht shumë, më shumë sesa që kishim menduar. Më saktësisht PlayStation 4, 8.5 watt në Standby, Xbox One 15.7 watt, Nintendo Switch 7.5 deri në 18 Wat gjatë akumulimit”, u shpreh ajo, duke shtuar se gjenerata e re e videolojërave mund të ketë ndikim të madh në konsumin e energjisë nëpër shtëpi, pasi që problemi thuhej se ishte kostoja e fshehur e energjisë gjatë kohës kur ato nuk janë duke u përdorur dhe janë në “stand by”.

Ajo thoshte se nuk duhet ironizuar me këto fakte, pasi shifrat janë dhënë nga ekspertët botërorë dhe janë në bazë të matjeve të bëra.

”Siç ndodh nganjëherë, gjërat shpesh banalizohen, por dua t’ju siguroj se çfarëdo që keni lexuar në postimet tona, nuk është diçka që ne e kemi shpikur. Këto janë udhëzime nga ekspertët dhe në bazë të matjeve të bëra”, shtoi tutje Rizvanolli./Demorkacia.com/

Të ngjashme