Lajme
Rithemelimi kërkoi pezullimin e arrestimit të Berishës, Gjykata Kushtetuese e rrëzon
Demokracia
16:17 | 20 Dhjetor 2023

Share:

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e grupimit të Rithemelimit për pezullimin e masës ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Deputetët e Rithemelimit, pretenduan se masa e marrë ndaj Sali Berishën ‘detyrim paraqitje’, më 20 tetor, për aferën e privatizimit të klubit sportiv Partizani, është antikushtetuese dhe është marrë pa u kërkuar paraprakisht autorizimin e Kuvendit.

“Ne kërkuesit, me cilësinë e 1/5 të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po Ju parashtrojmë në vijim faktet, provat dhe argumentat ligjore, se përse kemi paraqitur këtë kërkesë, e cila në thelb synon të zgjidhë konfliktin e kompetenca ndërmjet institucionit të Kuvendit nga njëra anë dhe pushtetit gjyqësor nga ana tjetër, për sa i përket heqjes dhe/ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”, thuhej në shkresë.

Vetë drejtuesi politik i opozitës shqiptare, ka thënë se nuk do ta njohë vendimin nga Prokuroria e Posaçme SPAK lidhur me ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, pasi e sheh si shkelje të Kushtetutës gjithë rastin.

Gjatë një fjale për mediat, Berisha përshkroi se SPAK ka vepruar kundërligjshëm në rastin e tij, krahasuar me atë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi për këtë të fundit, përpara marrjes së pasaportës, SPAK i kishte kërkuar miratimin Kuvendit.

Teksa, për Berishën, procedura nuk ka qenë e tillë.

“PD dhe opozita vendoset për motive kryekëput politike në një situatë në të cilën ndodhet partia opozitare në Myanmar, në Rusi dhe në Teheran”, përshkroi Berisha. “Por, siç rezistojnë opozitarët në Rusi, në Myanmar, në Iran, do rezistojë edhe PD në Shqipëri dhe ajo e tëra do angazhohet në betejën pa kthim për përmbysjen e narkodiktaturës”.

Më tej, e ka forcuar sërish qëndrimin e tij, duke thënë se nuk e mbështet vendimin, sepse ky është një “akt i turpshëm dhe i neveritshëm i komisionit Basha-Brava”.

Përmes kësaj fjalie, ai sjell në vëmendje faktin se nga opozita, vetëm deputeti demokrat i grupimit të Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj, e votoi pro heqjen e imunitetit të Berishës.

Më tej, ai hodhi akuza edhe ndaj gjyqtarëve, duke përmendur rastin e gjykatëses Irena Gjoka.

Kjo e fundit ka qenë e shkarkuar nga vetë Berisha më parë.

“Por shkarkimi është i mjaftueshëm që ajo të shkruajë se jam shkarkuar prej tij dhe nuk mund të trajtoj çështjen. Ky është ligji. Dhe ajo nuk është se e forcon, emërimi, ajo e thellon konfliktin e interesit. Ajo kishte vetëm një rrugë, të thoshte që nuk marrë dosjen”, vijoi më tej.

Shton ndërkaq se Rama, nuk do të vijojë të qëndrojë në pushtet.

Sa i takon situatës aktuale të opozitës, ai tha se krijon disa vështirësi të përkohshme, “por vala e fuqishme e revoltës, e mosbindjes civile të popullit opozitar do i japë atij atë vend që meritojnë të gjithë narkodiktatorët në histori”.

Ndaj kjo jo vetëm që nuk e dobëson, por e forcon më shumë luftën e opozitës, përmbylli Berisha.

Pas miratimit së kërkesë së SPAK nga ana e Komisionit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit ndërkaq, pritet të kryhet edhe votimi në Kuvend, për të vulosur aktin e arrestimit të Berishës.

Të ngjashme