Lajme
Rinia e PDK-së me aksion para Qeverisë për 1 Maj, ia kujton ikjen e profesionistëve nga vendi
Demokracia
10:22 | 01 Maj 2024

Share:

Rinia Demokratike e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion para objektit të Qeverisë për nder të ditës së 1 Majit.

Ata me nga një valixhe në dorë, ia përkujtuan Qeverisë ikjen e profesionistëve nga vendi, shkruan Demokracia.com

Me një fjalim, kryetarja e Rinisë së PDK-së, Arbnora Salihu iu drejtua mediave.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bashke me rininë e PDK-se jemi mbledhur para qeverise, ne qëndrojmë këtu, të detyruar nga një realitet i hidhur që na nxit të shprehim shqetësimin që prek jo vetëm rininë, por çdo shtresë të shoqërisë sonë. Këtu bashke me mua janë 7 të rinj të cilët përfaqësojnë vetëm disa nga profesionet: Policët, Zjarrfikësit, Mjekët/Infermieret, Minatorët, Mësuesit, Ndërtuesit dhe Kamarierët”, tha Salihu.

“Secili mban nga një valixhe në duar, një simbol i fuqishëm i zgjedhjes së hidhur që shumë qytetarë tanë janë të detyruar të marrin rrugën e migrimit, dhe kjo flet shumë për kushtet në të cilat punojnë punëtorët tanë dhe mundësitë që shtrihen përtej kufijve tanë, dhe jo brenda. Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin e saj për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre. Ky dështim jo vetëm që cenon stabilitetin tonë ekonomik, por gjithashtu detyron shumë qytetare të kërkojnë një perspektive më të mire jashtë vendit, duke e shteruar burimin tonë më të çmuar, njerëzit tanë, rininë tonë”, tha Salihu.

Ata parashtruan këto kërkesa:

Siguri në çdo vend pune.

Mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.

Trajtim i drejtë dhe meritor në vendin e punës.

Kompensime adekuate të rrezikut për të gjitha profesionet me rrezikshmëri të lartë.

Vende të reja të punës për rininë dhe programe aktive për t’i aftësuar e ndalur ata në Kosovë.

“Këto nuk janë vetëm kërkesa, këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një mjedis i drejtë pune, më e pakta që meritojnë punëtorët tanë. Së bashku, ne qëndrojmë për dinjitetin e çdo punëtori në Kosovë, sepse kur punëtorët mbështeten dhe vlerësohen, i gjithë shteti qëndron më i fortë”, përfundoi Salihu.

 

Të ngjashme