Lajme
Rikthimi triumfalist i Kurtit, Qeverinë dëshiron ta votojë më 25 mars në njëvjetorin e rrëzimit
Demokracia
19:09 | 09 Mars 2021
Albin Kurti më 25 mars 2020, ditën kur u zgjodh kryeministër.

Share:

Demokracia.com merr vesh se Albin Kurti po tenton që Qeverinë e re të Kosovës ta formojë më 25 mars, datë kjo e cila lidhet edhe me rënien e “Qeverisë Kurti”, saktësisht para një viti.

Më 14 shkurt të këtij viti në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku fituese e tyre doli Lëvizja Vetëvendosje më 49.95 për qind të votave.

Ndonëse ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve, Demokracia.com merr vesh se Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka një datë të dëshiruar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Demokracia.com merr vesh se Albin Kurti po tenton që Qeverinë e re të Kosovës ta formojë më 25 mars, datë kjo e cila lidhet edhe me rënien e “Qeverisë Kurti”, saktësisht para një viti.

Më 25 mars të vitit 2020, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Dëshira e Kurtit për votimin e qeverisë së re të tij më 25 mars mësohet se ka të bëjë me mesazhin e rikthimit të tij triumfalist, të cilin dëshiron ta përçojë te publiku.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti u iniciua nga partnerja e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti ishte zgjedhur më 3 shkurt të vitit të kaluar, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, atë kohë kishte thënë se partia e tij mbetet e hapur që Vetëvendosje të jetë pjesë e një koalicioni qeverisës, siç u shpreh ai “me bazë më të gjerë”. /Demokracia.com/

Të ngjashme