Që kur Drita kishte triumfuar për herë të parë dhe të fundit në evenimentin e Kupës së Kosovës kanë kaluar rreth 21 vjet. Klubi gjilanas që prej asaj kohe ka ngritur lart edhe trofe të tjerë ndër vite, por jo edhe Kupën e Kosovës.
“Bardhekaltrit” këtë vit janë 90 minuta larg trofeut të shumëkërkuar edhe nga tifozët, por edhe drejtuesit e klubit nga Anamorava që gjithashtu janë në garë edhe për titull të kampionit, shkruan Demokracia.com.
Ishte edicioni i largët 2000/01 kur Drita e ngriti “në qiell” trofeun e Kupës për herë të parë dhe të fundit. Atë botë, Drita mposhti rivalin e përbetuar lokal Gjilanin me rezultat 6:5 pas ekzekutimit të penalltive.
Atë kohë, Klubi i Dritës drejtohej nga presidenti tashmë i ndjerë, Selami Osmani – Bezi, të cilin “Intelektualët”, tifogrupi i skuadrës e kujtojnë vazhdimisht.
Pamjet e asaj finaleje ekzistojnë ende në arkivat e klubit gjilanas tregojnë se në atë ndeshje kundër Gjilanit, vetëm pak pas luftës, stadiumi në Prishtinë nuk kishte vend as për “gjilpër” në shkallët e stadiumit, për faktin se ishte i stërmbushur nga tifozeritë e dy klubeve.
Bylbyl Sokoli, trajneri i njohur kosovar drejtonte Dritën në atë kohë duke shkruar historinë me Dritën për trofeun e parë të saj në histori.
Ndeshja për 120 minuta ishte e baraspeshuar në rezultat 1:1, andaj penalltitë ishin përcaktues për fituesin e Kupës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Futbollistët e Dritës ishin më efikas në goditje, por edhe me ndihmën e portierit që e priti penalltinë vendimtare për të shpërthyer në festë mijëra tifozë të ekipit.
Tifozët, futbollistët dhe stafi i trajnerëve vrapuan në drejtim të presidentit Osmani që ishte ndër më meritorët që Drita ishte në atë situatë, për shkak të investimeve të tij, që për kohën ishin bukur të mëdha.
E ngritjen e trofeut të parë të Dritës e bëri kapiteni i asaj kohe, Bekim Isufi që tashmë është trajner mjaft i sukseshëm që ka drejtuar gjatë karrierës klube të mëdha dhe që ka fituar edhe trofe, përfshirë titullin kampion dhe Superkupën me po klubin e njëjtë para jo shumë vjetësh.
Se a do të shohim situatë të njejtë por me akterë të ndryshëm edhe këtë edicion mbetet të shihet finalja e madhe e 21 majit ku Drita rival ka Llapin e Tahir Batatinës.
Mëposhtë mund të shikoni finalen e vitit 2001, gjegjësisht ekzekutimin e penalltive, festën dhe ceremoninë e trofeut./Demokracia.com/