Intervista
Rikthimi i Trepçës ’89 në Superligë, objektivat madhore në elitë dhe e ardhmja e tij, flet hapur Shpëtim Idrizi
Demokracia
18:01 | 21 Prill 2022

Share:

Shpëtim Idrizi, ish-futbollisti i mirënjohur dhe tash e disa edicione trajner i Trepçës ’89 në një intervistë për Demokracia.com ka folur rreth edicionit në Ligën e Parë, objektivave të ekipit në elitë edicionin e radhës dhe të ardhmen e tij te skuadra mitrovicase.

Autor: Amir RAMA

Vetëm një edicion pas rënies, 89-shi, dikur kampion i Kosovës me Idrizin kapiten, ka siguruar ngjitjen në Superligën e Kosovës në futboll, disa xhiro para fundit në Grupin A të Ligës së Parë.

“Minatorët” ishin larg skuadra më e mirë këtë edicion në Ligën e Parë.

Këtë e dëshmon edhe renditja dhe pikët në tabelë, duke e lënë prapa ndjekësin e parë me një diferencë prej 12 pikëve, kur kanë mbetur të zhvillohen edhe disa javë.

EDICIONI NË LIGËN E PARË

Trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi u shpreh se nga starti i kampionatit ekipi i tij ishte dalluar nga kundërshtarët.

Meritorët për këtë të arritur, sipas Idrizit, ishin futbollistët që tha se kishin paraqitje të mira, angazhim dhe disiplinë.

Qysh prej fillimit të kampionatit kemi qenë bindshëm ekipi më i mirë në çdo aspekt në Ligën e Parë, ku me paraqitjet e lojtarëve, angazhimin dhe disiplinën të cilën e kanë treguar lojtarët e kemi arritur qëllimin dhe objektivin madhor i cili ka qenë rikthimi në Superligë. Besoj që “çelësi” i suksesit ka qenë grupi homogjen të cilin e kemi krijuar së bashku me stafin dhe lojtarët“, deklaroi për fillim Idrizi për Demokracia.com.

SYNIMET NË SUPERLIGË

Të “etur” për sukses, 89-shi synon që të lë gjurmë të mëdha në edicionin në vijim në elitën e futbollit kosovar.

Idrizi thekson se “Xehëtarët” do të jenë konkurent për njërin nga trofetë e mundshëm, duke mos e veçuar titullin apo Kupën e Kosovës.

Si zakonisht Trepça ’89 gjithmonë ka pasur synim titullin dhe Kupën e Kosovës. Mendoj që përsëri do të jetë objektivi ynë që të paktën njërën nga këto ta fitojmë dhe besoj me tre eventualisht katër përforcime do të jemi protagonistët kryesorë në Superligë“, nënvizoi trajneri dhe ish-futbollisti mitrovicas.

E ARDHMJA

Tifozët dhe futbolldashësit kosovar Trepçën ’89 do ta shohin sërish në Superligë nën drejtimin e Idrizit me të cilin skuadrës asnjëherë nuk i ka munguar motivi dhe loja e mirë.

Mendoj që përsëri do te jem pjesë e ekipit ku realisht u bë viti i tretë që e udhëheqi Trepçen ’89 dhe gradualisht e kam fituar edhe përvojën e duhur në këtë aspekt“, theksoi për fund Shpëtim Idrizi./Demokracia.com/

Të ngjashme