Lajme
Rikthimi i Sllovakisë në KFOR “mund t’i intensifikojë tensionet” mes Kosovës dhe Serbisë
Demokracia
20:34 | 08 Dhjetor 2024

Share:

Sllovakia synon t’i rikthejë ushtarët në KFOR pas 17 vjetësh.

Rikthimi i Sllovakisë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) mund t’i intensifikojë më tej tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, ka paralajmëruar instituti italian për marrëdhënie ndërkomba IARI në një artikull kushtuar synimit të Sllovakisë që t’i rikthejë ushtarët në KFOR, krahas mbylljes së zyrës ndërlidhëse në Prishtinë.

“Kjo shënon një zhvendosje strategjike drejt një kursi të orientuar nga siguria duke reduktuar angazhimin diplomatik. Sllovakia do të jetë kontribuesi i tretë mosnjohës i Kosovës në KFOR, duke përforcuar praninë e shteteve në linjë me pozicionin e Serbisë brenda misionit paqeruajtës të NATO-s”, ka shkruar në hyrje të kësaj analize IARI.

Veprimet e Sllovakisë ilustrojnë një prirje drejt fragmentimit të strategjive perëndimore, ku interesat kombëtare formojnë gjithnjë e më shumë politikat shtetërore mbi axhendat kolektive, sipas institutit italian. E rëndësia e mbështetjes për Serbinë vlerësohet të jetë përforcuar nga rënia e efektivitetit të Bashkimit Evropian.

“Sllovakia minon perceptimin e NATO-s si një aktor koheziv nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe hap derën për aktorët individualë që ndjekin interesat e tyre në Ballkan, duke shpërfillur strategjitë e koordinuara ndërkombëtarisht, dhe duke destabilizuar më tej rajonin”, ka shkruar mes tjerash autori i analizës së IARI.

Sllovakia ka pasur 200 deri në 250 ushtarë në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë gjatë periudhës kur ka qenë e angazhuar, deri në tërheqjen e personelit sllovak në vitin 2007, një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Largimi i Sllovakisë nga KFOR-i ndodhi gjatë mandatit të parë të Rober Ficos në pozitën e kryeministrit.

“Nëse riangazhimi i Sllovakisë në KFOR minon autoritetin e misionit dhe kapacitetin e tij për të menaxhuar tensionet për shkak të ndarjeve politike, skenari do të bëhej i tmerrshëm. Përpjekjet e KFOR-it për të vendosur se kur dhe si të ndërhyjë mund të nxisin përleshje të dhunshme etnike”, theksohet tutje në analizën e institutit.

Sllovakia s’e njeh pavarësinë e Kosovës, por respekton, sikurse pretendojnë në mënyrë të vazhdueshme autoritetet sllovake, integritetin territorial të Serbisë. Kryeministri Fico, krahas përforcimit të mbështetjes sllovake për Serbinë, ka shtuar së fundmi se Sllovakia synon të dërgojë deri në 150 ushtarë në KFOR pas më shumë se një dekade.

Të ngjashme
Auto&Tech • 19 Janar 2025