Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është rikthyer në prapaskenë si njëra prej temave kryesore në Kosovë.
Demokracia.com merr vesh se Asociacioni ka qenë temë e takimit të mbrëmshëm edhe ndërmjet emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me liderët e opozitës kosovare.
Sipas një burimi të mirinformuar te Demokracia.com, Escobar i ka mbledhur në darkë liderët opozitarë dhe iu kërkuar qëndrim për implementimin e Asociacionit.
“Escobar ka kërkuar edhe mendimin e opozitës dhe mbështetjen e tyre për fillimin e punës për krijimin e Asociacionit”, ka thënë ky burim për Demokracia.com.
Në Kosovë po qëndron edhe ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai sot (e mërkurë) pritet t’i takojë, po ashtu, liderët e opozitës kosovare.
Për Asociacionin ka folur mbrëmë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.
Ai ka thënë se për krijimin e Asociacionit, Kosova mund të marrë modele të ndryshme që janë zbatuar në mbarë Evropën.
I pyetur nëse serbët në Kosovë do të jetonin më mirë nëse do të krijohej Asociacioni i Komunave me shumicë serbe – për të cilin Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje në Bruksel, Hill u përgjigj: “Jam besimtar i madh se duhet të punohet për një të ardhme për komunitetin serb, për ndonjë mekanizëm. Ka disa modele në mbarë Evropën për këtë”.
Hill shtoi se Asociacioni duhet të definohet më mirë, pasi sipas tij, “detajet janë shumë të rëndësishme për këtë çështje”.
“Njerëzit duhet ta dinë sesi do të duket jeta e tyre”, theksoi ai.
Marrëveshja për Asociacionin, i cili e trajton atë si OJQ, është arritur në vitin 2013. Pas saj është arritur edhe Marrëveshja e Parimeve si dokument i ndërmjetëm, para hartimit të statutit, e cila përkundër që nuk prodhonte asnjë konsekuencë ligjore, për siguri të ruajtjes së kushtetutshmërisë ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Kushtetuese.
Asociacioni do të duhej të bashkonte dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte përcaktuar se disa nga parimet e marrëveshjes për Asociacionin nuk ishin në harmoni të plotë me frymën e Kushtetutës së Kosovës, porse ato mund të harmonizoheshin me statut. /Demokracia.com/