Lajme
Rikthimi i Albin Kurtit në dialogun që s’ka njohje nga Serbia, por Zajednicë, vetëmenaxhim për serbët dhe si të largohet Lulzim Hetemi nga komuna e Leposaviqit
Demokracia
09:26 | 14 Shtator 2023

Share:

Pas shumë ”fiskulturave” politike gjatë kësaj vere, kryeministri Albin Kurti sot rikthehet në dialogun me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Më në fund, ditët dhe javët do të mbushen me debate për këtë dialog, pasi prej kohësh Kurti nuk ka angazhime tjera si drejtues i Qeverisë së Kosovës.

Por, ky dialog, ku Kurti përfaqëson Kosovën, ka degraduar në diskutim për çështje të brendshme të Kosovës, të cilat ndërlidhen me hapat për de-përshkallëzimin e situatës së sigurisë në komunat veriore, shkruan Demokracia.com.

Që çështjet e brendshme do të jenë pjesë e tryezës së diskutimit në takimin e radhës është konfirmuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, në njoftimin e të cilit thuhet se “Takimi i 14 shtatorit në Bruksel do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit si dhe për çështjet aktuale”.

Në mesin e “çështjeve aktuale” që pritet të diskutohen në Bruksel janë çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, që ndërlidhen me hapat për de-përshkallëzimin e situatës së sigurisë, ku bënë pjesë edhe ndërprerja e parakohshme e mandatit të katër kryetarëve shqiptarë të komunave veriore.

Vetëm njëri nga katër kryetarët e këtyre komunave ka situatën më specifike. Bëhet fjalë për Lulzim Hetemin, kryetarin e Leposaviqit, i cili që nga 26 maji 2023 ka hyrë në objektin e komunës dhe nuk ka dalë më.

Kryeministri Kurti dhe ministrat e ndryshëm të tij kanë këmbëngulur që rruga e vetme për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të katër komunave është përmes inicimit të shkarkimit të tyre, fillimisht duke nënshkruar një peticion nga 20% e votuesve të secilës nga këto komuna dhe pastaj organizimi i votimit.

Me Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023), kryeministri Kurti ka rënë dakord që (neni 7) “të sigurojë një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe që “palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Njëkohësisht, me pranimin e kësaj marrëveshje, sipas nenit 10, Kurti ka rënë dakord që të themelojë Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, shumë e kundërshtuar prej tij si opozitar. “Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”, thuhet në nenin 10 të Marrëveshjes Bazë.

Ndërkaq, me pranimin Aneksit të Ohrit (18 mars 2023), Kurti ka rënë dakord që obligimet e marra të bëhen pjesë integrale e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropinan, duke e ndërlidhur të ardhmen evropiane të Kosovës me zbatimin e Marrëveshjes Bazë. “Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në këtë Aneks.

Pavarësisht deklaratave të kryeministrit Kurti, se me këto marrëveshje Serbia po e njeh de-facto Kosovën, një gjë e tillë është hedhur poshtë nga vetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka thënë se me marrëveshjen e 27 shkurtit dhe më pastaj të 18 marsit “nuk ka njohje formale dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës”. /Demokracia.com/

Të ngjashme