OpEd
Rikthim i frikshëm i tankeve Ruse dhe i skenarëve destabilizues në rajon!
Demokracia
17:05 | 27 Shtator 2021

Share:

Së pari, duke ndjekur me indinjatë shtesë, “kërcitjen e zinxhirëve të tankeve dhe avionëve Rusë në kufijtë shtetërorë të Kosovës”, sjell qëllimisht në vëmendje «thirrjen ulëritëse» të gazetarit të mirënjohur Çek Julius Fucik: “NJERËZ, jini VIGJILENT” !

Ky «mesazh-epitaf» mbetet kambanë aktuale për të zgjuar dhe mbrojtur popujt nga projektet vrastare, si fashizmi apo regjimet barbare të çdo forme tjetër!

Profesionalisht, këtë zhvillim e gjej si «përgjigje të vonuar» për disa nga pikëpyetjet strategjike që u kam adresuar publikisht udhëheqësve të Beogradit dhe Rajonit në 15 vitet e fundit.

“Rikthimi te Armët”, sigurisht kënaq ektremistët, krimin e organizuar, oligarkët e pushtetit dhe gardën e sekserëve të korruptuar, por nuk u shërben aspak qytetarëve, as masave të mirëbesimit reciprok dhe as axhendës së integrimit Euroatlantik të vendeve të rajonit.

Si e tillë, shërben vetëm si mekanizëm i axhendës së politikanëve zullumqarë, për të mbajtur me çdo mjet/çmim (edhe me gjak) pushtetin, për të vjedhur pasuritë publike si dhe për të vrarë shpresat e bashkëjetesës paqësore mes qytetarëve të Ballkanit.

Duke e parë kështu, rikthimi i frikshëm te “tanket, avionët Mig-29, raketat dhe bashkë me to, ëndrrat Ruse, fryma e urrejtjes ndëretnike, rrënjët e destabilitetit si dhe te konfliktet e përgjakshme”, përçmon kujtimin për 300 mijë të vrarët si dhe vuajtjet dhe sakrificat e papërshkruara të qytetarëve të vendeve te Ballkanit nga makineria kriminale e Millosheviçit!

Falni por mos harroni (forget but not forgive) mbetet edhe SOT si “mesazh-EPITAF” jo vetëm për Kosovën e martirizuar, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinē, Slloveninë dhe Shqipërinë që e paguan aq shtrenjtë marrëzinë e Millosheviçit por edhe për USA, NATO-n, BE, UN etj. që kontribuan aq shumë për paqen e rajonit të mbërthyer nga urrejtja dhe luftërat e përgjakshme!

Së dyti, ripërsëris edhe më qartë se përtej statuseve dhe protagonizmit populisto–nacionalist të udhëheqësve pa fuqi/këllqe në Facebook: “Mbetet domosdoshmëri kritike dhe përgjegjësi e lartë shtetërore, përgatitja dhe jetësimi i një Platforme Partneriteti Strategjik midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës”.

Për më qartë, jetësimi i konceptit “Dy Shtete – një Komb” dhe atij “mençur” mbi sovranitetin, sigurinë dhe mbrojtjen mbarë-Kombëtare, si dhe zhvillimi i 12 projekteve të përbashkëta, do të duhet  të konfirmohet si përqasja afatmesme e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare!

Thënë këtë, duhet nënvizuar edhe më fortë se kjo “përqasje e vonuar” nuk përben asnjë “kërcënim ndaj Serbisë apo vendeve të tjera të rajonit”!

Për më tepër, të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, mbeten shumë të mirëpritura të bëhen pjesë e projekteve mbi emergjencat civile (përfshi zjarret, përmbytjet, aksidentet industriale, ambientaliste)  epidemitë shëndetësore, sigurinë kibernetike, reciprocitetin në dogana, etj!

Po ashtu, jam i bindur që kjo qasje e mençur, do të inkurajohej dhe mbështetet nga USA dhe NATO, pasi ka dekada që zbatohet me sukses mes vendeve Baltike (Lituani, Estoni, Letoni); vendeve Skandinave (Norvegji, Finland  Suedi), vendeve të ulëta (Belgjikë, Holandë, Luxembourg), etj!

Së fundmi, përtej heshtjes së gjatë dhe dështimit të frikshëm të politikanëve zullumqarë për rikthimin te forca e armëve, shpresoj që fuqia e arsyes së mendjeve të hapura të zgjohet, Paqja dhe Integrimi Euroatlantik të triumfojnë si “opsion dhe axhenda të vetme” për rajonin e mbushur me histori dhe udhëheqës gjakatarë!

Por, “Paqja, Stabiliteti dhe demokracia funksionale si USA dhe gjithë Europa, nuk janë dhurata të përjetshme” !

Në të kundërt, ato mbeten kambana alarmi dhe mision i vetëm për të ndenjur “zgjuar”, punuar dhe luftuar fort kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore!

Ndërsa në vend të mesazhit përmbyllës, ritheksoj edhe më fortë: “STOP rikthimit te tanket, avionët, raketat Ruse, skenarët e destabilitetit, mendjet e ndryshkura si dhe heshtjes së frikshme të politikanëve zullumqarë në Rajon”!

Gjeneral Piro AHMETAJ është ekspert i Sigurisë Kombëtare & NATO, Zëvendës-President i Këshillit të Atlantikut në Shqipëri, ish-Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO

 

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024