Lajme
Rikthehet në shqyrtim propozimi i qeverisë për kompaninë e biznesmenit milioner
Demokracia
20:28 | 16 Janar 2022

Share:

Propozimi i qeverisë për t’ia dhënë statusin e “Investitorit Strategjik” kompanisë “Kosmonte Foods”, Sh.P.K, pritet të shqyrtohet sërish në Kuvendin e Kosovës.

Ky propozim i ekzekutivit rezultoi një nga pikat më të nxehta të diskutimit në një seancë plenare të kuvendit në fundin e muajit nëntor të vitit të kaluar, raporton Paparaci.

Opozita i cilësoi të dyshimta procedurat e ndjekura nga qeveria për propozimin e shpalljes së “Kosmonte Foods” si investitor strategjik.

Por, Kryesia e kuvendit do të shqyrtojë të hënën pikat e rendit të ditës, të parapara për seancën e radhës parlamentare, shkruan Paparaci.

Në mesin e pikave që do të shqyrtohen, ndodhet edhe propozimi për “Kosmonte Foods” Sh.P.K., i cili nuk është hedhur në votim në dy seancat e fundit plenare të kuvendit për shkak të mungesës së ministres Rozeta Hajdari, e cila ka përsipër argumentimin e propozimit të ekzekutivit.

“Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS” Sh.P.K”, thuhet në njërën nga pikat e rendit të ditës, të cilat do t’i shqyrtojë kryesia në një mbledhje të hënën.

“Kosmonte Foods” është një kompani private me bazë në Fushë Kosovë. Ajo është në pronësi të sipërmarrësit Lulzim Begaj.

Sipas të dhënave publike në ARBK, “Kosmonte Foods” Sh.P.K., merret me tregtinë e produkteve të qumështit, vezëve, vajrave dhe yndyrnave të gatimit.

Dhënien e statusit Investitor Strategjik për “Kosmonte Foods” Sh.P.K. e kanë kundërshtuar deputetët e opozitës, në seancën e kuvendit më 23 nëntor, kur propozimi i qeverisë u vu në shqyrtim për t’u tërhequr më pas si pasojë e mungesës në seancë të ministres Hajdari.

Ata nuk u shprehën parimisht kundër shpalljes së “Kosmonte Foods” investitor strategjik, por kritikuan procedurat e ndjekura nga qeveria mbi propozim-vendimin.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kompania me bazë në Fushë Kosovës ka pasur një kontest ligjor me Ministrinë e Bujqësisë.

Por, sipas tij, qeveria është tërhequr nga një padi civile që kishte ushtruar ndaj “Kosmonte Foods” lidhur me uzurpimin e një prone shoqërore.

Tahiri, po ashtu tha se “kjo kompani nuk i plotëson kushtet” për shpallje si investitor strategjik investues.

Kritika për propozim-vendimin e qeverisë pati edhe shefi i Grupit Palrmentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Të ngjashme