Edhe pas rikthimit të B2-shit, gjendja elektroenergjetike në Kosovë, vazhdon të jetë e brishtë dhe me mungesë të madhe të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Ende shpërputhja ndërmjet prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet e vendit dhe nevojave të konsumit në Kosovë, është e madhe.
Është rikthyer në prodhim mbrëmë (më 10 prill) rreth mesnatës, më saktësisht siç ka kumtuar KEK-u rreth orës 23 e 39 minuta, blloku B2 i termocentraleve Kosova B. Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është rikthyer me sukses në operim.
“Sinkronizimi me rrjetin energjetik është realizuar më 10 prill rreth orës 23:39 dhe aktualisht njësia po operon në mënyrë të qëndrueshme dhe brenda parametrave teknikë normalë. Ky rikthim në operim është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm të punëtorëve dhe menaxhmentit të Termocentralit “Kosova B”, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defektit dhe vënien në funksion të njësisë”, ka thënë KEK.
Fillimisht, rikthimi ishte planifikuar të ndodhte në orët e hershme të mëngjesit, mirëpo pas kryerjes së provës hidraulike u evidentua nevoja për eliminimin e disa rrjedhjeve shtesë në kalldajë, çka kërkoi një fazë shtesë të ndërhyrjeve teknike.
“KEK falënderon të gjithë stafin teknik dhe menaxherial për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit, duke siguruar rikthimin në operim të njësisë B2 brenda afatit të paraparë, në përputhje me nominimet për datën 11 prill 2025.”
Mirëpo, edhe pas rikthimit të B2-shit, gjendja elektroenergjetike në Kosovë, vazhdon të jetë e brishtë dhe me mungesë të madhe të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Ende shpërputhja ndërmjet prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet e vendit dhe nevojave të konsumit në Kosovë, është e madhe. Tani në prodhim janë gjithsej dy njësi të termocentraleve të Koosvës B, B2-shi i rikthyer dhe blloku A4 i Kosovës A, të cilat prodhojnë veç e veç nga 260 megavatë-orë (B2) dhe 115 megavatë (A4). I bie që Kosova nga termocentralet vendore ka aktualisht 375 megavat-orë, plus diku rreth 70 megavatë-orë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme (BRE).
Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike në Kosovë këtyre ditëve mesatarisht tejkalon 800-850 megavatëshin, dhe nëse llogaritet më saktësisht, del që mbi gjysma e konsumit duhet të mbulohet me energji elektrike të importuar, ose të huazuar nga Shqipëria.
Gjatë ditëve, derisa B2-shi ishte në riparim, sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, kjo korporatë ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, që është afërsisht rreth 90 për qind të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2. /Buletini Ekonomik