Lajme
Rikonfirmon Stano: Palët janë pajtuar me propozimin, tash kalojmë në fazën tjetër
Demokracia
15:06 | 28 Shkurt 2023

Share:

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se liderët e Kosovës dhe Serbisë e kanë miratuar të hënën propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

“Ajo që u ra dakord në takim është se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për përmbajtjen, për tekstin e propozimit dhe se do të punojmë me palët për zbatimin. Natyrisht, ne si BE do t’i ndihmojmë ata. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona lehtësuese. Ata e miratuan propozimin. Ata ranë dakord që nuk nevojiten diskutime të mëtejshme rreth dokumentit dhe se mund të kalojmë në fazën tjetër”, ka thënë Stano në një konferencë të rregullt për media.

Të hënën, më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel për të diskutuar propozimin e BE-së.

Në fund të takimit, pro-planit është shprehur vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Vuçiq – duke iu shmangur deklaratave për planin – ka thënë se është e mundur të arrihen disa kompromise dhe janë duke punuar për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Nikoqiri i takimit të liderëve, kryediplomati evropian, Josep Borell, kanë thënë në fund të ditës se të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar në zbatimin e marrëveshjes.

Zëdhënësi i Brukselit, Peter Stano, ka përsëritur se diskutimet e mëtejshme për dokumentin evropian nuk janë më të nevojshme, dhe se tani po punohet për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes.

Të ngjashme