Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi ka konfirmuar se sot në orët e hershme të mëngjesit është rihapur parku i Gërmisë, i cili po qëndronte i mbyllur tash e dy ditë.
Parku u vendos që të hapej pasi ekipet e emergjencës kanë kontrolluar terrenin përreth dhe kanë konstatuar se nuk kanë rënë në gjurmët e ariut që ishte parë nga banorët .
Parku i Gërmisë u mbyll përkohësisht si shkak i evitimit të rrezikut, nga një ari i cili ishte parë nga qytetarët në zonat përreth pasditen e së dielës.
“Ju njoftojmë se pas vlerësimit të ekipit të Emergjencës, pas punës në terren në Parkun e Gërmisë, u vendos për rihapjen e Parkut të Gërmisë për qytetarët. Ekipi i Emergjencës kanë kontrolluar terrenin duke përfshirë Gërminë, Butovcin, zonën te Antenat si dhe në Kolovicë dhe nuk kanë rënë në gjurmë të Ariut për të cilin qytetarët raportuan se ishte parë në Gërmi. Prandaj, që nga orët e sotme të mëngjesit, Parku është rihapur. Të dielën gjatë orëve të pasdites, Policia kishte pranuar informacione nga qytetarët se është vërejtur një Ari në parkun e Gërmisë, afër zonave ku frekuentojnë zakonshëm qytetarët. Komuna kishte konfirmuar se Ariu nuk ka qenë pjesë e “Parku i arinjve” dhe me qëllim të evitimit të ndonjë rreziku potencial, kishte mbyllur Parkun e Gërmisë për qytetarët”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com/