Lajme
Rihapet atraksioni më i njohur i Islandës paçka frikës së shpërthimit vullkanik
Demokracia
23:12 | 18 Dhjetor 2023

Share:

Një nga atraksionet turistike më të njohura të Islandës është rihapur për herë të parë në më shumë se një muaj.

Një rihapje që vjen pavarësisht frikës për një shpërthim të mundshëm vullkanik.

Blue Lagoon, një banjë gjeotermale në jug-perëndim të kryeqytetit Reykjavík, u mbyll më 9 nëntor pasi gadishulli Reykjanes u godit nga më shumë se 1 mijë tërmete në 24 orë.

Në ditët në vijim, të gjithë 3 mijë e 800 njerëzit që jetonin në qytetin e afërt të Grindavík u evakuuan nga shtëpitë e tyre.

Megjithëse njerëzit janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 21:00 çdo ditë, dhe disa biznese janë rihapur, ata ende nuk mund të qëndrojnë gjatë natës ose të ecin nëpër qytet.

Ata janë duke pritur për një përditësim këtë javë për të zbuluar nëse rregullat e evakuimit do të hiqen në kohë për Krishtlindje.

Një person që jeton në Grindavík raportohet se është kërcënuar së fundmi me arrestim pasi ka thyer rregullat për të qëndruar në shtëpi me gruan e tij për disa net.

Zyra Islandeze Met ka thënë se megjithëse shkalla e deformimit është ulur ditët e fundit në Svartsengi aty pranë, nevojiten më shumë të dhëna.

Në orët e para të mëngjesit të së hënës, u raportuan rreth 230 tërmete pranë Grindavik.

Sakaq, menaxhmenti i Blue Lagoon ka bërë me dije se vendimi për rihapjen u mor në “bashkëpunim të ngushtë me autoritetet”.

Megjithatë, hotelet e resortit dhe një nga restorantet e tij do të mbeten të mbyllura deri të enjten, kur planifikoi të rivlerësonte situatën.

“Ekspertët po monitorojnë me përpikëri situatën me analiza në kohë reale. Aktualisht, nuk ka indikacione të afrimit të magmës në sipërfaqe”, ka njoftuar resorti.

Ndërkaq, vizitorët und të mbërrijnë vetëm me një shërbim të caktuar autobusi për shkak të ndërtimit të punimeve mbrojtëse pas aktivitetit fillestar sizmik.

Helga Árnadóttir, shefja ekzekutive e shërbimeve të Blue Lagoon, ka thënë se përfaqësuesit e linjave ajrore dhe industrisë së turizmit e informuan se disa turistë kishin anuluar udhëtimet e tyre në Islandë për shkak të mbylljes së lagunës.

Përpara hapjes – sipas saj – punonjësit iu nënshtruan një stërvitje sigurie në shkallë të gjerë për të praktikuar evakuimin e zonës sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Të ngjashme