Rihanna ka bërë bujë të madhe në rrjetet sociale dhe media botërore pas paraqitjes së saj të shumëpritur në Met Gala 2025, ku konfirmoi shtatzëninë e saj të tretë me partnerin A$AP Rocky.
Ylli 37-vjeçar u shfaq fillimisht në një video të postuar në rrjetin social X (ish-Twitter), teksa mbërrinte në hotelin “The Carlyle” në New York, e veshur me një set ngjyrë turkeze nga Miu Miu – një këmishë me mëngë të gjata dhe një fund deri në gjunjë. Siç është bërë tashmë zakon për të, Rihanna nuk hezitoi të ekspozojë barkun e saj të rrumbullakosur, duke e bërë publik lajmin për pritjen e ëmbël.
Fotografitë e saj u përhapën me shpejtësi të jashtëzakonshme në rrjet, duke marrë mijëra reagime, pëlqime dhe komente në Instagram, X dhe TikTok. Fansat e saj e përshkruan si “Mbretëresha e Met Gala-s” dhe vlerësuan stilin e saj të guximshëm dhe autentik, shkruan DailyMail.
Rihanna dhe A$AP Rocky janë prindër të dy djemve – RZA, 2 vjeç dhe Riot, 1 vjeç – ndërsa tani presin me padurim fëmijën e tyre të tretë. Rocky, i cili këtë vit ishte bashkë-kryetar i Met Gala-s bashkë me Colman Domingo, Lewis Hamilton, Pharrell Williams dhe Anna Wintour, është shfaqur gjithashtu në mbështetje të partneres së tij në çdo hap.
Tema e sivjetme e Met Gala ishte “Superfine: Tailoring Black Style”, që përqendrohej në ndikimin historik të modës afro-amerikane dhe rikthimin e saj përmes dandy-ve të Rilindjes së Harlem-it.
Ashtu si vitet e tjera, edhe këtë herë Rihanna e vonoi mbërritjen në tapetin e kuq. Ajo u pa në muze rreth orës 22:00, e veshur me një fustan të zi me vija dhe xhaketë të shkurtër, të kompletuar me një kapelë të madhe dhe kravatë ngjyrë verë me pika të bardha.
Rihanna kishte lënë të kuptohet për një shtatzëni të mundshme që në dhjetor 2023, kur në një intervistë për E! News tha: “Deri tani, vetëm djem kam. Po synoj 75% që herën tjetër të jetë vajzë. Po e mbajmë gishtin kryq”.
Në intervista të mëhershme, ajo ka përmendur se dëshiron të jetë një nënë e përkushtuar dhe mbrojtëse, duke përmendur Teresa Giudice nga “Real Housewives of New Jersey” si modelin e saj të preferuar të prindërimit.
“Do t’i dal për zot fëmijëve të mi. Kush i prek, mbaron puna,” ishte deklarata e saj e drejtpërdrejtë.
Në këtë mënyrë, Rihanna nuk është vetëm një ikonë e modës dhe muzikës, por edhe një figurë frymëzuese për nënat moderne që nuk heqin dorë nga ambiciet personale e profesionale.