Lajme
Rifillim me rregulla të reja, propozimi kreativ i Institutit Evropian të Paqes për dialogun Kosovë – Serbi
Demokracia
13:04 | 12 Dhjetor 2023

Share:

Kur njëri shtet ikën nga obligimet e veta të ketë dënime të qarta dhe kur shteti tjetër realizon pritjet e parapara me Marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër të ketë shpërblime të qarta, përmes Komiteti të Përbashkët të Monitorimit, i cili duhet të fuqizohet më shumë.

Kur njëri shtet ikën nga obligimet e veta të ketë dënime të qarta dhe kur shteti tjetër realizon pritjet e parapara me Marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër të ketë shpërblime të qarta, përmes Komiteti të Përbashkët të Monitorimit, i cili duhet të fuqizohet më shumë.

Në gjashtë pika të propozuara thuhet se duhet “rol më i fuqishëm i Komitetit të Monitorimit që përfshinë autoritetin për të vendosur saktësisht mos-bindjet e palëve dhe se vendimmarrja nuk duhet të jetë çështje e konsensusit, por e prerë për ndërmjetësuesin”.

“Palët (Kosova dhe Serbia) duhet të jenë të obliguara të zbatojnë vendimet e BE-së”.

Duhet të ketë takime shumë më të shpeshta, thotë një pikë tjetër.

“Takime çdo dy javë nën udhëheqjen e përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe takime mujore të liderëve Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç nën prezencën e Përfaqësuesit për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Josep Borrell”.

Propozimi sugjeron që përmbajtja e këtyre takimeve do të përcjellet në Këshillin Evropian në formë të një raporti nga Lajçak dhe Borrell.

Propozohet gjithashtu që të ketë një fokus ekskluziv në implementimin e Marrëveshjes për Shtegun Drejt Normalizimit të Raporteve, e arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu të hartohet një kornizë që do ta sekuenconte implementimin e planit.

“Të ketë referenca të qarta të masave dhe sanksioneve për mos-zbatim të asaj që vendos udhëheqësi i Komitetit të Përbashkët”, thotë dokumenti.

Gjithashtu, sipas të njëjtit dokument, propozohet që të ketë “një kornizë kohore të qartë prej 150 ditësh”.

Duhet po ashtu që të vendoset qartësisht që udhëheqësi i Komitetit të ketë të drejtën dhe mundësin që të caktojë takime varësisht nga mënyra se si po zbatohen gjërat dhe gjithashtu të ketë mundësinë e kërkimit të informatave në çfarëdo kohe.

“Palët duhet të jenë të obliguara që ta informojnë shefin e Komitet paraprakisht për cilindo vendim apo aksion që ka të bëjë, apo e afekton planin e zbatimit. Palët do të monitoroheshin nga afër nga personeli i BE-së në Kosovë dhe në Serbi”, thotë propozimi.

Në një pjesë të tretë të propozimit, potencohet se paraprakisht duhet të definohen qartë masat ndëshkuese nëse ka mos zbatim nga palët dhe sherbetimet kur palët kryejnë punë për të cilat janë pajtuar paraprakisht.

“Këto masa duhet të adaptohen paraprakisht me mbështetje të plotë të trupave të BE-së, të shteteve anëtare siç është Këshilli i Ministrave, por gjithashtu edhe nga SHBA, Britania e Madhe dhe kur duhet edhe nga NATO”.

Dokumenti sugjeron se veç faktit që do të jenë të qartësuara paraprakisht, masat ndëshkuese do t’i bëjë palët më të përgjegjshme për obligimet e tyre.

Për të realizuar këtë, duhet që të ketë qartësi edhe në sasinë, llojin, kohën dhe afatin e masave ndëshkuese.

Ato mund të jenë nga “dënimet e qarta publike për palën e caktuar; tërheqje vërejtje por jo me dykuptimësi por të qarta po ashtu; ndalimi i disa apo të gjitha llojeve të agjendave që kanë palët me BE-në; ndalimi i çfarëdo takimi bilateral me shtete anëtare, apo vizita të zyrtarëve të shteteve anëtare; dërgim i njoftimeve të odave të biznesit në BE dhe forumeve të investitorëve; sanksionime financiare; ndalim i ndihmave ushtarake apo çfarëdo formave të tjera të asistencës në mbrojtje dhe pezullime të përkohshme, pa përcaktim kohor, të liberalizimit të vizave”.

Njëjtë, do të duhej të ishin të qarat edhe shpërblimet që marrin palët kur bëjnë punën e tyre.

“Përmendje speciale për zbatime të suksesshme dhe dërgimi i këtyre rezultateve te Këshilli i Ministrave; konferenca shtypi të dedikuara për palën që ka zbatuar një pikë të caktuar; njoftime formale të ndryshme të të gjithë anëtarëve si në BE, si në SHBA dhe NATO, për palën e suksesshme; forma të ndryshme të ndihmës së menjëhershme financiare si përgjigje për zbatimin e detyrimeve të marra. Gjithashtu, komisioni të përfshinte para shtesë në programet si IPA, duke e theksuar qartë se kjo pjesë po i dedikohet faktit se ka pasur zbatim të një pike të caktuar”.

Pra, logjika e përgjithshme që propozon dokumenti është që të ketë qartësi dhe të ketë mekanizma që parandalojnë problemet dhe shpërblejnë ata që u qëndrojnë besnikë marrëveshjeve.

Propozimi gjithashtu propozon një përkushtim të veçantë dhe të ndarë për sigurinë në Kosovë. Të gjitha këto do të zyrtarizoheshin duke e bërë këtë pjesë si pjesë zyrtare dhe të përbendësuar të Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve.

Aty propozohet edhe që të financohen organizata jo qeveritare që do të ishin një monitorues tjetër i pavarur nga vendi i ngjarjeve që do të informonin BE-në për rezultatet konkrete dhe nuk do të kishte varësi nga informacioni subjektiv i palëve.

Arsyeja e këtij propozimi thuhet se është fakti që përveçse dialogu është në krizë, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një krizë që prekë Kosovën dhe Serbinë, por gjithë rajonin dhe Evropën.

Për faktin se ka kriza në vende të tjera si ajo në Izrael e Gaza, e po ashtu lufta në Ukrainë me Rusinë, kjo nuk do të duhej të ishte një lënie anash e problemit në mes Kosovës dhe Serbisë, por përkundrazi.

Komuniteti ndërkombëtar nuk bën assesi që të lejojë shpërthimin edhe të një krize tjetër në këtë kohë problematike.

“Kjo qasje do të vendoset rend nën konstelacionet aktuale”, shkruhet në fund të raportit.

Në përfundim potencohet se konteksti ballkanik ka potencial që të eskaloi tutje, prandaj duhen përpjekje tejet të mëdha që të parandalohet një shpërthim eventual.

“Ballkani Perëndimor është një shembull pozitiv i ndërtimit të paqes nga komuniteti ndërkombëtar dhe duhet të qëndrojë kështu, në mënyrë që t’i jap arkitekturës globale të paqes një rritje besimi në marrjen me sfida të tjera. Një skenar tjetër, në rrethanat aktuale, do të përbënte goditje fatale për kapacitetin perëndimor për të stabilizuar”, përfundon raporti.

Të ngjashme