Lajme
Rezultati katastrofal në PISA | Ky është dokumenti që dëshmon se Albin Kurti “parapëlqen” analfabetizmin
Demokracia
17:43 | 05 Dhjetor 2023

Share:

Rezultatet e testit PISA edhe një herë treguan për gjendjen e rëndë të sistemit arsimor në Kosovë.

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

Shteti ynë është ranguar në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë, shkruan Demokracia.com.

Për më keq, me Kosovën është duke qeverisur edhe një parti, e cila e pëlqen analfabetizimin, sepse e sheh si mënyrën më të lehtë për t’i qeverisur.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, në një dokument të brendshëm të përpiluar nga vetë Kurti, më 2017 thoshte se rreth 40 për qind e kosovarëve janë analfabetë funksionalë, prandaj ata duhet t’i ushqejnë me thashethëme.

“Thashethemet janë burim (dez)informacioni”, shkruan Kurti, prandaj “nuk bën ta nënçmojmë fuqinë e thashethëmës”.

“Ajo zhvillohet shumë në një popullsi sikurse kjo e jona në të cilën analfabetizmi funksional (ku qytetarët i dinë germat por bëjnë shumë gabime në drejtshkrim e gramatikë) ka përfshirë afër 40% të popullsisë”, thotë Kurti në faqen 19 të tekstit, tek pjesa “Komunikimi është Organizim”.

Duke qenë se gjysma e qytetarëve janë analfabetë sipas Kurtit, atëherë Vetëvendosje duhet të koncentrohet në shpërndarjen e thashethemeve.

“Qëndrime të caktuara tonat në mjedise e kohë të posaçme duhet të përhapen pikërisht ashtu: pra, si thashethëma”, thuhet në tekstin e VV-së.

Kurti ua kishte shpjeguar anëtarëve të partisë së tij gjithashtu se faktet nuk janë shumë të rëndësishme, sepse “mendimet e njerëzve janë të udhëhequra prej qëllimeve e synimeve të tyre, më shumë sesa prej fakteve jashtë tyre”.

Në pjesën e tekstit të titulluar si “Tërësia është Pikënisje”, Kurti u kërkonte anëtarëve të tij që të bëjnë skanim të detajshëm të gjendjeve në komunat e tyre përkatëse, duke kuptuar gjithçka për secilin, nga “profesorët e shkollave të mesme” e “nxënësit e klasave të “XI-ta dhe XII-ta”, e deri te “kamerierët”, “shitësit në pompa të benzinës”, “shitësit e furrave”, “berberët”, hoxhallarët”, “inkasantët e mbeturinave” e në secilin sektor tjetër.

Ky dokument i propozuar atëherë si plani për organizimin politik kishte shkaktuar edhe përçarjet e para në Lëvizjen Vetëvendosje.

Siç do kuptohej më vonë, një pjesë e kryesisë e kishte kundërshtuar asokohe, përfshirë edhe kryeparlamentarin aktual të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcën.

Përkundër kundërshtive, Kurti me fuqinë e tij brenda partisë e kishte shtyrë përpara dhe të pakënaqurit me planin do të largoheshin më pas nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mbi-Organizimin-Politik-Plani-i-Albin-Kurtit-per-te-ardhur-ne-pushtet.pdf (albanianpost.com)

Ndryshe, Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.

Në këto rezultate, Kosova e ka zënë vendin e 74-të në matematikë, fushën kyçe në testim.

Rezultatet e testit të parë janë publikuar në vitin 2016, kur Kosova është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.

Rezultatet e testit të dytë janë publikuar më 2019, me Kosovën në vendin e 77-të, në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar vlerësimit.

Testi PISA është paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për vitin e ardhshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ky lloj testi bëhet çdo tre vjet në tri kategori: shkencë, matematikë dhe lexim, si dhe teston një mostër të nxënësve 15-vjeçar në një vend. /Demokracia.com/

Të ngjashme