Lajme
Rezultatet e Albin Kurtit | Pas sanksioneve amerikane, Franca e mban përgjegjëse Kosovën për trazirat
Demokracia
13:10 | 31 Maj 2023

Share:

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe.

Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë.

Qëndrimi i presidentit francez është në bashkërendim me deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të QUINT-it, të cilat e bënë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në deklaratën e tij tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”. Ai tha se këto veprime janë marrë “në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri të shtetit, si “hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa protestuesit e dhunshëm të ndalen”.

“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës që kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell më 30 maj.

 

Të ngjashme