Lajme
Rezoluta e Shqipërisë kundër trillimeve të Dick Martyt | Si po fshihet Albin Kurti prapa dy grave politikane?
Demokracia
10:09 | 24 Korrik 2022

Share:

Janë bërë tri ditë prej kur deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, u bënë bashkë si asnjëherë më parë, për të miratuar rezolutën kundër trillimeve të Dick Martyt: “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e organeve në Shqipëri dhe Kosovë”.

Por, edhe pse ditët po kalojnë, kryeministri Albin Kurti po vazhdon të fshihet dhe të mos e thotë asnjë fjalë. Siç karakterizohet prej vitesh, ai po i nxitë të tjerët të flasin kundër kësaj rezolute, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Kurti ka zgjedhur të fshihet prapa dy grave politikane.

Presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë treguar hapur se nuk e pëlqejnë Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, e cila është pikënisje e një beteje për të shfuqizuar raportin skandaloz dhe trillues të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, pasi hetimet ndërkombëtare kanë vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e këtij raporti për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

Është e kuptueshme se Kurti nuk ka një qëndrim ndryshe nga Osmani dhe Haxhiu, sepse po të mbante një qëndrim të tillë, ai do ta thoshte atë. Për më tepër, edhe Haxhiu që flet me fjalët e tij, nuk do t’i thoshte ato që i tha pa pëlqimin e tij.

Kurti nga një opozitar që fliste gjithë ditën për bashkimin kombëtar, sot është bërë një kryeministër komik që na tregon sesi mbështillen fijet e telit të bakrit. Prandaj, sot Kurti nuk thotë asgjë për një rezolutë kaq të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë.

Zbulimi i së vërtetës s’e Albin Kurti është veç një llafator, i paaftë për të bërë a lëvizur diçka, po e bënë atë që dalëngadalë të shndërrohet në një politikan, i cili po iu shërben të rinjve të tallen në Tik-Tok, si një personazh ideal për të treguar sesi duket dikush që nuk mban asnjë fjalë për asgjë.

Pra, Albin Kurti, po shfaqet në atë që gjithmonë ka qenë, i cili derisa ishte në opozitë nuk është vërejtur: një politikan i vogël, me mendje të shkurtër dhe provinciale.

Albin Kurtin nuk e lejon vogëlsia e tij prej politikani që të dalë në mbështetje, edhe pasi Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë synon të heq njollën që rëndon mbi kombin shqiptar, tashmë të faktuar edhe nga hetimet ndërkombëtare, të cilat kanë ardhur në përfundim se nuk ka pasur trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

Dy kukullat e tij politike, Osmani dhe Haxhiu, njëra pas tjetrës kanë treguar se sa shumë po u dhemb iniciativa e Republikës së Shqipërisë.

“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, ka thënë presidentja Osmani, pavarësisht se ajo ishte pyetur për tjetër gjë.

Në sinkron të plotë me të është deklaruar edhe ministrja Haxhiu: “Ne e kemi gjetur Gjykatën Speciale si fakt të kryer. Përgjegjës nuk mund të mbahemi ne, përgjegjës duhet të mbahen ata që ia kanë ndrydhur duart deputetëve në kohën kur u themelua. Ata janë që po hedhin tym, por duhet të japin përgjegjësi”.

Më 21 korrik 2022, Kuvendi i Shqipërisë, me 125 vota ‘Për’ ka miratuar Rezolutën mbi “Pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e organeve në Shqipëri dhe Kosovë”.

Gjatë debatit në Kuvend, kryeministri Edi Rama ka thënë se kjo nuk është një rezolutë e zakonshme.

“Është rezolutë ndryshe nga të tjerat, sepse është fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg. Kjo rezolutë synon të lëvizë Këshillin e Evropës”, ka thënë Rama.

“Dick Marty nuk është më anëtar i Asamblesë [Parlamentare të Këshillit të Evropës]. Ne nuk e kemi fare me Dick Martyn. Ne tash e kemi me reputacionin dhe dinjitetin e një Asambleje në Këshillin e Evropës, e cila është çuar dhe e ka votuar atë. Në rregull, e kanë votuar se kanë menduar se duhet të hetohet. Ky proces hetimesh nuk ka sjellë asnjë drejtësi për viktimat e presupozuara, por ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së, sepse i tillë ka qenë edhe qëllimi… ka bërë viktimë botërore Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – një nga momentet më të rëndësishme të krenarisë kombëtare të shqiptarëve”, ka thënë Rama. /Demokracia.com/

Të ngjashme