Lajme
Rezoluta e PE-së për Kosovën po shihet si zvarritje për dialogun me Serbinë
Demokracia
13:40 | 10 Korrik 2022

Share:

Analistët politikë në vend nuk presin që së shpejti të këtë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, ashtu siç ka paralajmëruar emisari special i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.

Sipas tyre, miratimi i rezolutës për Kosovën në Parlamentin Evropian që kërkohet njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta zvarrisë edhe me tej dialogun.

Pas miratimit të rezolutës për Kosovën në Parlamentin Evropian, në të cilën për herë të parë thuhet që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të përfundojë më njohjen reciproke, gjasat janë të vogla për një takim të nivelit të lartë.

Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në vend.

Analisti Artan Muhaxheri ka thënë se pas votimit të rezolutës në PE, Kosova është në pozicion më të favorshëm dhe për këtë Serbia nuk do të pranojë të ulët në tavolinën e bisedimeve.

“Nuk mendoj që ka shumë gjasa që takimi i paralajmëruar të mbahet para pushimeve të verës, sepse Kosova është në pozitë më të mirë se sa Serbia, pas votimit të rezolutës në Parlamentin Evropian, dhe për këtë arsye është pak e besueshme që presidenti i Serbisë do të pranojë të takohet me kryeministrin Kurti. Kjo rezolutë e ka ndryshuar edhe kontekstin e përgjithshëm të dialogut”, tha Artan Muhaxheri.

Edhe Dorajet Imeri shprehet skeptik që mund të këtë një takim të nivelit të lartë para pushimeve verore, ashtu siç ka kërkuar emisari special i BE- së për dialogun Mirosllav Lajçak. Megjithëkëtë, Imeri vlerëson se dialogu duhet të vazhdojë.

“E rëndësishme është që dialogu të mundë të vazhdojë, prandaj është bërë kaq i rëndësishëm një takim para pushimeve verore, pasi siç dihet, nëse eventualisht nuk do të ketë një takim tash, gjasat për të pasur një takim në periudhën më të hershme kohore është muaji shtator ose tetori. Dhe natyrshëm, disa muaj pa takime mund të ndikojnë që edhe procesi negociues humb edhe momentin e tij që mund të jetë ndoshta për zhvillimin progresiv të bisedimeve”, ka deklaruar Imeri.

Herën e fundit që kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë ulur në tavolinë ka qenë me 5 maj të këtij viti, në një darkë jo formale që e kishte organizuar emisari Lajçak në Berlin.

Të ngjashme