Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka shpalosur detaje lidhur me përmbajtjen e rezolutës për të cilën këtë të enjte do të votohet pro ose kundër në Parlamentin Evropian.
E njëjta është sipas Reuten është titulluar “Normalizimi Kosovë-Serbi”.
Ai thotë se paragrafi i 26-të i rezolutës ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Eurodeputeti holandez thekson se marrëveshja për vizat nuk është dhe s’do të lidhet me procesin e dialogut dhe se e njëjta duhet të hyjë në fuqi më një janar të vitit 2024.
“Paragrafi i rezolutës ‘Normalizimi Serbi-Kosovë’, që do të votohet nga PE: 26. Rikujton se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar”, shkruan Reuten.
Çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, u riaktualizua pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e cila rezultoi të kishte të bënte me një gabim të përkthim.
Gjatë ditës së djeshme nga Ambasada franceze në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, sqaruan se theksi i deklaratës së Macron më tepër ka qenë te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke i kërkuar që të marrë përgjegjësi për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë.
“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”.
“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”, u tha ndër të tjera në përgjigjen e Ambasadës së Francës në Kosovë.