Sivasspori ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në shtëpi ndaj Antalyasporit me rezultat 2-0 në kuadër të javës së 33-të në elitën e futbollit turk.
Njëri ndër golashënuesit e Sivasspor në këtë takim ishte sulmuesi shqiptar Rey Manaj, i cili si shpeshherë këtë sezon, edhe në këtë sfidë arriti të lë shenja.
Manaj ishte autor i golit të dytë të cilin e realizoi në minutën e 75-të për t’i dhënë qetësi skuadrës së tij.
Kjo ishte paraqitja e 25-të e Manajt këtë edicion në Superligën e Turqisë dhe ka 11 gola të realizuar dhe katër asistime.
Për Sivassporin kjo fitore ishte e domosdoshme duke marrë parasysh luftën e madhe që po bëhet në pjesën e poshtme të tabelës për të siguruar mbijetesën.
Ekipi i Manajt u rikthye kështu tek fitoret pas tri ndeshjeve pa rezultat pozitiv dhe tashmë numëron 34 pikë duke mbajtur pozitën e 15-të në renditje.
Javën e ardhshme ata i pret një duel mjaft i vështirë pasi do të luajnë në udhëtim ndaj kampionit në fuqi dhe liderit aktual Galatasarayt.