Lajme
“Reuters”: Irani i ka ofruar qindra raketa të fuqishme balistike Rusisë, përfshirë ato “Fateh-110”
Demokracia
16:14 | 21 Shkurt 2024

Share:

Irani i ka ofruar Rusisë një numër të madh të raketave të fuqishme balistike Rusisë, i kanë thënë gjashtë burime agjencisë “Reuters”, duke e thelluar bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve të sanksionuara nga ShBA-ja.

Ofrimi i rreth 400 raketave përfshin shumë prej familjes “Fateh-110”, armë balistike me rreze të shkurtër, si raketat “Zolfaghar”, thanë tri burime iraniane. Kjo raketë mund të godasë caqe në largësi prej 300 deri në 700 kilometra, thonë ekspertët, raporton agjencia “Reuters”.

Ministria e Mbrojtjes e Iranit dhe Rojat Revolucionare refuzuan që të komentonin. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Dërgesat nisën në fillim të janarit pas finalizimit të një marrëveshjeje në takimet që u zhvilluan në fund të vitit të kaluar mes zyrtarëve ushtarakë iranianë e rusë në Teheran e Moskë, tha njëri nga burimet iraniane.

Një zyrtar ushtarak iranian, i cili kërkoi që të mos identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së të dhënave, tha se janë bërë të paktën katër dërgesa të raketave dhe do të ketë të tjera javëve të ardhshme. Ai refuzoi që të jepte hollësi të mëtejme.

Një zyrtar tjetër i lartë iranian tha se disa nga raketat janë dërguar në Rusi me anije përmes Detit Kaspik, ndërsa të tjerat janë dërguar me aeroplan.

Të ngjashme