Intervista
Reuten: Shtetet e Ballkanit duhet të marrin vendime të vështira shpejt
Demokracia
17:36 | 09 Gusht 2023

Share:

Deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, beson se diplomacia parandaluese garanton stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ofron mundësi për reagim ndaj secilës krizë eventuale.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Reuten – i cili është edhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian – e ka komentuar thirrjen e dhjetëra deputetëve amerikanë, britanikë dhe atyre të bllokut evropian që Perëndimi të ketë qasje të re ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tyre, politikat aktuale nuk po funksionojnë.

Ai beson se punë më e madhe duhet të bëhet në qasjen ndaj Serbisë.

“Fillimisht duhet dhënë fund qasjes aktuale dhe kjo ka të bëjë kryesisht me qasjen me të butë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas mendimit tim, është duke ndikuar jo vetëm në punët e Bosnjë e Hercegovinës, duke e mbështetur presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, por është edhe pengesë për përparim në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është shumë e nevojshme”, ka deklaruar Reuten.

Ai ka thënë se duhet të jenë të qartë se çfarë po kërkojnë nga partnerët në gjithë rajonin.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë që stabiliteti i këtij rajoni është kyç për stabilitetin e gjithë kontinentit.

“Ne nuk mund t’i tolerojmë vetes më shumë gabime dhe një gjë që e propozojmë si deputetë është diplomacia parandaluese. Kjo nënkupton se neve na duhet një plan B, natyrisht, jo për të luftuar, por për t’i bërë të qarta prioritetet tona. Kjo nënkupton përforcimin e EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë, përforcimin e KFOR-it në Kosovë, nëse është e nevojshme, sidomos në rastet siç kanë ndodhur sulmet ndaj tyre, të ketë përgjigje pa dilema dhe të qartë nga ana e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Ka shtuar se duhet lënë anash vetëkënaqësinë dhe qasjen e butë, dhe mendësinë e të mospërgjigjurit qartazi ndaj marrëveshjeve të kaluara.

Ai ka theksuar se duhet të ketë koordinim për dallim prej muajve të fundit që ka pasur tone dhe qëndrime të ndryshme sa i përket situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe ngjarjeve në Bosnjë e Hercegovinë.

“Së treti, duhet të jemi më të vendosur në atë se cila është rruga përpara. Kjo do të thotë se shtetet duhet të marrin vendime të vështira. Serbia duhet të marrë vendim të qartë për Evropën, në vend të miqësisë së ngrohtë me Rusinë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, por kjo nënkupton që edhe politikanët në Bosnjë e Hercegovinë duhet t’i caktojnë prioritetet që janë të domosdoshme për integrim në familjet evropiane. Kam qenë shumë kritik ndaj Komisionarit për Fqinjësi të Mirë, ai është nga Hungaria, [Oliver] Varhelyi, por edhe e gjithë BE-ja duhet të dalë me plan më ambicioz për përfshirje të rajonit. Nuk do të ndodhë përgjatë natës, as për një vit, por duhet pasur synim të qartë për të ardhmen. Gjërat duhet të ndodhin këtë dekadë dhe duhet të ndodhin shpejt”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se bazuar në kërkesat e BE-së, të datës 3 qershor, Kosova ka treguar gatishmëri për t’i zbatuar të gjitha pikat.

Ka shtuar se problemi tani është “që e kemi një situatë në favor të presidentit Vuçiq, sepse ai tani mund të bëjë hapa mbrapa dhe ta vazhdojë lojën e tij, që nuk e ka në fokus përparimin por mbajtjen e situatës jostabile”.

“Dy gjëra duhet të ndodhin: fillimisht rikthimi i dialogut, dhe më pas që të dyja vendet duhet të fokusohen në zgjedhjet e tyre për t’iu afruar integrimeve. Po dëgjoj shumë kritika se grupi nënshkrues është armik i Serbisë. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka asgjë më të mirë për rajonin sesa që Serbia të zgjedhë të ardhmen evropiane”, ka thënë ai. /REL

Të ngjashme