Lajme
Republika e rrezikuar | Kurti e pranon publikisht se Zajednica që ka pranuar është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës
Demokracia
12:47 | 03 Nëntor 2023

Share:

Kurti s’është i sigurt se statuti i Asociacionit që e ka pranuar e respekton frymën e Kushtetutës së Kosovës – “germën e Kushtetutës po”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, se draft statuti i Asociacionit që e ka pranuar është i shkruar me kujdes për germën e Kushtetutës së Kosovës, por nuk është aq i sigurt që edhe për frymën e saj.

“Leximi ynë është që draft propozimi për zbatimin e nenit 7 në lidhje me nenin 10 është shkruar me kujdes për germën e kushtetutës, më shumë se sa për frymën”, deklaroi në Kuvendin e Kosovës pasi është thirrur për sqarime shtesë rreth asaj që ka pranuar.

Megjithatë, Kurti përsëriti se plani i sjellur nga ndërkombëtarët “parasheh që pasi të pranohet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”.

Kurti, ka nisur raportimin në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti ka folur për kronologjinë e zhvillimeve në dialogun me Serbinë, që kur ky proces ka nisur 10 vite më parë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kurti ka thënë se qeverisjet e kaluara në dialogun me Serbinë nuk sollën as marrëveshje për njohje, e as integrim të veriut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kurti tha se në vend të sundimit të ligjit, sundonte Radoçiqi. Kurti tha se sundimi i ligjit nuk mund të vendosej në veri edhe për faktin se siç u shpreh ai “kriminelët në veri ishin pjesë e koalicionit qeverisës”.

Teksa foli për marrëveshjen e Brukselit, si dhe aneksin zbatues e së fundmi edhe propozimin për draftin e ri të Asociacionit, tha se edhe Neni 7 është po ashtu rezultat i dialogut në këto dy vite.

Kurti tha në Kuvend se nuk mund të flasë më shumë për këtë propozim, pasi siç tha ai është obligim i tij ndaj emisarëve të BE-së dhe SHBA-së për të mos folur shumë rreth propozimit.

Pjesë nga fjalimi i Kurtit në Kuvend:

Çdo herë pas takimeve të nivelit të lartë me kërkesën e Kuvendit kam raportuar para deputetëve dhe qytetarëve.

Në 10 Nuk ndodhi asnjë njohje e dokumenteve e shtrirje e dokumenteve ndërkohë që integrimi i veriut ishte fasadë. Atje përveç se mbaheshin referendume e zgjedhje të Serbisë e shpërfilleshin ligjet e Republikës së Kosovës, lulëzonte edhe krimi e korrupsioni. Në vend të sundimit të ligjit, sundonte Radoçiqi si udhëheqës i bandave kriminale e terroriste dhe kjo ishte si pasojë e dialogut. Pra as marrëveshje për njohje, as integrim i veriut. Nga viti 2021 kur kemi marrë Qeverinë kemi thënë se na duhet një qasje e re në dialog, një qasje parimore, si palë të barabarta ku në qendër të saj ishte njohja reciproke. Sfida kryesore ishte trashëgimia dhe sfida 10 vjeçare në Dialog që nuk ka sjellë integrim të veriut as marrëveshje për njohje.

Sundimi i ligjit do të vazhdojë pavarësisht zhvillimit të dialogut. Kjo është ajo që nuk e kishim në 10 vite dialog. Kjo edhe për faktin se kriminelët në veri ishin pjesë e koalicionit qeverisës. Për dy vite dialog në qeverinë tonë kanë sjellë një marrëveshjet, ajo e Brukselit që e ka edhe aneksin zbatues. Marrëveshja është marrëveshje për njohje de facto të Kosovës nga Serbia. Kemi arritur vetëm një marrëveshje e cila sjell njohjen de facto të Kosovës nga Serbia dhe ky është rezultat i dy viteve dialog.

Marrëveshja bazike dhe aneksi i saj në 6 rreshtat e preambulës dhe pesë nenet e para e ka njohjen de facto të Kosovës nga Serbia. Pesë nenet tjera janë përgjithësisht nene përfituese për të dy palët dhe vetëm një nen, ai 7 ndërlidhet me trashëgiminë nga dialogu i dekadës së kaluar. Neni 7 është po ashtu rezultat i dialogut në këto dy vitet. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft statut për zbatimin e nenit 7. Ne kemi vlerësuar planin e ri. Draft propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Kushtetuta e Kosovës menjëherë pas pranimit. Më 6 tetor zhvilluam takim me krerët e BE-së. Në këtë takim kam kërkuar mbi të gjitha më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë. Kërkova po ashtu të bëhet ndëshkimi i Serbisë për sulmin terrorist. Ne ofruam të nënshkruajmë marrëveshjen bazë me gjithë aneksin zbatues dhe propozimin për zbatimin e nenit 7. Samiti i KE-së në Bruksel ishte ngjarja, por edhe vendi e kryeqyteti ku kjo do të duhej të ndodhte. Serbia refuzoi nënshkrimin duke refuzuar kështu edhe draftin. Mirëpresim deklaratën e përbashkët për thirrjen për njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

Do të flas për propozimin pa detaje ngase është obligim i imi ndaj emisarëve dhe SHBA-ve të cilët kanë kërkuar të mos flas për këtë propozim. Sa për neve ky draft mund të publikohet që sot.

Të ngjashme