Lajme
“Republika e KFOR-it”| Si po i injoron Albin Kurti “alarmet” e Edi Ramës?
Demokracia
23:05 | 19 Qershor 2023

Share:

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka një kohë që flet më intenzivisht rreth tensioneve të larta në mes Kosovës dhe Serbisë. Pas draft-statutit për Asociacionin dhe një konference tmerruese për medie, Rama sot zgjodhi të shkruaj në Twitter disa mesazhe alarmuese rreth Kosovës. Megjithatë, deri tani Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, nuk i ka dëgjuar “këshillat vëllazërore” të Ramës.

Për më shumë, në një rast, Kurti kishte ironizuar me draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Rama duhet ta dorëzojë një draft të tillë në Serbi, duke kërkuar të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Por çfarë tha sot Rama?

Në një seri postimesh në Twitter, Rama shpërndau kërkesën e Departamentit amerikan të Shtetit për lirimin e 3 policëve të kidnapuar nga Serbia në veri të Kosovës. Sipas tij, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë kjo javë do të “jetë java e rikthimi të akullit mes nesh”.

Pas këtij paralajmërimi “ogurzi”, Rama shkroi edhe për masat e nevojshme për shtensionimin e situatës në veri. Shefi i Qeverisë së Shqipërisë theksoi se nëse Kurti këmbëngul “në të tijën kundër aleatëve”, atëherë KFOR-i do të rikthehet në krye të punës, shkruan Nacionale.

“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës!” – shkroi ai.

Interpretimi i tij pesimist, u thellua në cicërimin e tretë. Rama paralajmëroi një “Republikë të KFOR-it”.

“E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!” – shkroi ai.

Deri më tani, askush nga Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar në lidhje me këto paralajmërime. Edhe Kurti ka qenë i heshtur përkitazi me alarmin e Ramës për një “Republikë të KFOR-it” në veri të Kosovës.

Por Kurti nuk ka qenë kaq i heshtur në një rast tjetër ku u përfshi Rama. Në lidhje me draft-statutin për Asociacionin, të cilin Rama e hartoi dhe dorëzoi në ShBA, Gjermani e Francë, Kurti kishte zgjedhur një formë interesante për t’u kundërpërgjigjur.

Pas një heshtje disa ditore, Kurti ishte shfaqur në një konferencë për medie në objektin e Qeverisë së Kosovës, duke “u talluar” në një formë me propozimin e Ramës. Shefi i ekzekutivit kosovar kishte vlerësuar se nëse draft-statuti është i mirë, atëherë Rama duhet ta dorëzojë atë në Serbi dhe të kërkojë që ai të zbatohet për qytetarët shqiptarë në Luginë të Preshevës.

“Unë nuk kam dyshim që kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Edi Rama beson që propozimi i tij i draft statutit është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë draft statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të hapur, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.” – theksonte Kurti.

“Unë i besoj kryeministri Rama se beson që ai model është i mirë për pakicën serbe. Unë vetëm po tregoj ku është adresa dhe cila do të jetë kërkesa për këtë model. Adresa është Beogradi dhe kërkesa është për shqiptarët e Luginës.” – vlerësonte tutje ai.

Ndryshe, Rama ka qenë cak i sulmeve nga eksponentë të ndryshëm të VV-së, për shkak të angazhimit të tij rreth Kosovës dhe qëndrimeve të tij kritike ndaj Kurtit për veriun.

Të ngjashme