Kosova ka shënuar një rënie të ndjeshme në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), duke kaluar nga pozita e 75-të në të 99-tën, ndër 180 shtete të renditura.
Rënia prej 24 pozicionesh është cilësuar si alarmante nga deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, e cila e lidh këtë regres me qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti ndaj mediave.
“Ky nuk është vetëm një indeks në një raport ndërkombëtar, është pasqyrë e katër viteve ku pushteti i Kurtit ka sulmuar gazetarët, ka denigruar mediat kritike dhe ka tentuar të heshtë fjalën e lirë”.
Bajrami thotë se gjatë katër viteve të fundit gazetarët janë etiketuar si “bashkëpunëtorë të Serbisë”, janë përballur me padi, kërcënime, bojkote dhe fyerje të përditshme.
“Ky diskurs sot është bërë normë dhe është rezultat i sjelljes katërvjeçare të LVV-së në pushtet. Ky diskurs e kjo sjellje është brejtësi që po shkatërron themelet e demokracisë”.
Renditja e Kosovës në vendin e 99-të në mesin e 180 shteteve aty afër me Mongolinë dhe Mozambikun, sipas Bajramit tregon se shoqëria jonë sot është më e frikësuar dhe më pak e lirë.
“Demokracia nuk ndërtohet duke heshtur gazetarët, ajo fillon pikërisht aty ku pushteti pyetet dhe përgjigjet.Derisa LVV po mban peng institucionet, si vend po degradojmë në çdo sferë. Prandaj, është me rëndësi konstituimi i institucioneve që merren menjëherë me problemet e qytetarëve dhe të gazetarëve. S’ka demokraci aty ku s’ka media të lira”.
Në fund, ajo thekson nevoja për veprime të menjëhershme për të rikthyer lirinë e shtypit në vend, duke përfshirë:
• Depolitizim i KPM-së,
• Hartimin e ligjit për KPM-në në bashkpunim me Këshillin e Evropës dhe shoqërinë civile,
• Depolitizim i bordit dhe menaxhmentit të RTK-së,
• Ngritje e buxhetit për RTK-në,
• Ashpërsim i dënimeve për ata që sulmojnë gazetarët,
• Inkurajim dhe përkrahje për gazetarinë hulumtuese, janë kontribues të mëdhenj në luftën kundër korrupsionit.