Lajme
Rënia e madhe në indeksin e lirisë së mediave, gazetarët shënjestra të sulmeve politike nën pushtetin e Kurtit
Demokracia
11:25 | 02 Maj 2025

Share:

Kosova ka shënuar një prej rënieve më të mëdha në indeksin e Reporterëve pa Kufij sa i përket lirisë së mediave. Pas rënies prej 19 pozitave në vitin e kaluar, Kosova ka shënuar edhe një regres tjetër prej 24 pozitave, që e zbresin në vendin e 99-të, në renditjen e Reporterëve pa Kufij.

Në raport thuhet se edhe kur mediat mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë shënjestra të sulmeve politike.

Reporterët pa Kufij përmendin KPM-në si rregullator joefektiv “që i është nënshtruar një reforme legjislative kontraverse që rrezikon të pengojë më tej pavarësinë e tij”, shkruan Express.

Gjithashtu theks i veçantë i jepet bojkotit që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Qeveria ua ka bërë mediave private, duke i shënjestruar disa dhe duke i bojkotuar.

“Para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, i cili kërcënoi gjithashtu pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në aksesin në informacionin publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, e cila është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raport.

Tek pjesa e kornizës ligjore, raporti konstaton se liria e shprehjes, mbrojtja e burimeve dhe e drejta për informacion janë të garantuara me ligj, ndërsa shpifja është dekriminalizuar.

Por, Raporti thekson se paditë SLAPP janë gjithmonë në rritje.

“Por gjithnjë e më shumë gazetarë janë nënshtruar SLAPP-ve të iniciuara nga grupet e biznesit dhe politikanët. Qasja në informacionin publik është penguar nga zbatimi i dobët i ligjit. Në praktikë, as ligji i të drejtës së autorit nuk respektohet”, thuhet në raport.

Gjithashtu raporti përmend faktin se mediat e pavarur dhe gazetarët hulumtues janë shpesh objektiva të fyerjeve e lajmeve të rreme nëpër rrjete sociale, duke u akuzuar padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, retorikë që përdoret nga grupe politike dhe fetare.

Lidhur me sigurinë e gazetarëve Raporti thotë se “Në vitet e fundit, shumë gazetarë janë nënshtruar kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjetet kriminale dhe gjithashtu për shkak të tensionit politik midis Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë janë bërë gjithashtu shënjestër e mbikëqyrjes. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe zyra e prokurorit, ato rrallë kanë rezultuar në ndjekje penale”./GazetaExpress/

Të ngjashme