Lajme
Rëndohet situata në Mitrovicë, uji i “merr” edhe shtëpitë (FOTO/VIDEO)
Demokracia
15:30 | 19 Janar 2023

Share:

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje nëpër disa qytete të Kosovës të enjten, raporton Demokracia.com.

Shiu i madh ka shkaktuar vërshime në qytetin e Mitrovicës.

Në një fotografi të postuar në rrjetin social Facebook, shihet se nga vërshimet janë përfshirë edhe disa shtëpi, ku uji ka arritur në katet e larta të shtëpive.

Edhe një video nga Mitrovica shihet se në qendër të qytetit kalimi bëhet me vështirësi.

 

 

Po ashtu Instituti Hidrometerologjikë i Kosovës përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka paralajmëruar që në ditët në vijim mund të ketë vërshime në disa pjesë të Kosovës dhe si pasojë e reshjeve te shiut.

 

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Skenderaj, Fadil Nura, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar qytetarët  se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera është rënduar situata në këtë komunë, raporton Demokracia.com.

Nura ka thënë se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, ka marrë vendim që të shpalli gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës.

“Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mengjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrollë, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut. Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara”, ka shkruar Nura.

Të ngjashme