Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Armand Krasniqi, para pak ditësh ka pasur një konflikt me sekretaren e universitetit, Tirana Hasani.
Për këtë ka reaguar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, duke thënë se ky rast duhet të trajtohet urgjentisht.
“Sulmi i Rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka” Armand Krasniqi ndaj Sekretares se Universitetit, Tirana Hasani duhet të trajtohet urgjentisht dhe të mirren masa. Rasti i raportuar sot në media tregon vetëm një nga rastet e përditshme në Kosovë, dhe kjo nuk guxon të lejohet të ndodhë!”.
Ajo përmes një statusi në Facebook ka thënë se duhet që me urgjencë t’i qasemi kësaj dukurie.
“Ne jemi fokusuar kundër dhunës ndaj grave kryesisht tek dhuna në familje, por dhuna ndaj grave në institucione është shumëfish më e lartë dhe po degradon çdo ditë. Duhet që me urgjencë t’i qasemi kësaj dukurie qe po metastazon çdo ditë në çdo institucion”.
Kurse, universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë vazhdon ta mbajë të heshtur këtë konflikt fizik mes dy zyrtarëve të lartë të këtij institucioni.
Sipas raportimit në media, gjithçka ka ndodhur pas një debati të momentit kur dyshohet se rektori e ka gjuajtur me karrige kolegen e tij.
Për rastin në fjalë janë të njoftuar edhe kolegët e universitetit “Haxhi Zeka” të cilët në kushte anonimeti kanë thënë se e tëra është e vërtetë, por se nuk duan që të prononcohen më shumë.