Mungesa në procesin mësimor parasheh sanksione financiare për profesorët e asistentët. Por në Rektorat nuk treguan se sa profesorë janë sanksionuar, vetëm pranuan se ka mungesë të mbajtjes së ligjëratave dhe se disa pjesëtarë të stafit akademik janë gjobitur.
Për një javë në muajin tetor, studentët e sociologjisë në Fakultetin Filozofik ankohen se nuk mbajtën ligjërata pasi munguan profesorët.
“Përgjatë një jave në muajin tetor nuk i kemi mbajtur ligjëratat, për njërin nga profesorët na kanë njoftuar nga fillimi që për shkak të angazhimeve të tij nuk do t’i mbajë ligjëratat, ndërsa për të tjerët vetëm kemi marrë njoftime që nuk vijnë. Disa kanë filluar t’i zëvendësojnë”, ka treguar një student në kushte anonimiteti.
Nga Dekanati i Fakultetit Filozofik në UP kanë pranuar se disa ligjërata nuk janë zhvilluar, por është mohuar të ketë pasur mungesa për një javë të plotë.
“Lidhur me rastet e disa orëve të humbura, Dekanati po harton një plan të detajuar për kompensimin e tyre, dhe se ky plan, do t’u kumtohet studentëve”, thuhet në përgjigjen e Dekanatit të Filozofikut.
Tutje në përgjigje thuhet se një nga problemet e mosmbajtjes së plotë të orëve mësimore të planifikuara për semestrin akademik është fillimi i vitit akademik më 15 shtator, për dallim me vitet e tjera që ka nisur më 1 tetor. Ky problem i është atribuuar mungesës së studentëve në ligjërata.
“Në këtë semestër, si çdo njësi tjetër akademike, edhe ne jemi ballafaquar me disa vështirësi teknike, siç kanë qenë: fillimi i vitit akademik për herë të parë me 15 shtator, gjë që ka rezultuar me një pjesëmarrje tejet të ulët të studentëve në ligjërata dhe ushtrime; mbingarkesa e stafit akademik për mbulueshmëri të të gjitha lëndëve”, thuhet në përgjigjen e Dekanatit.
Mungesa e profesorëve në ligjërata, sipas Parlamentit Studentor, është evidente edhe në fakultete të tjera të UP-së. Florend Ramusaj, nënkryetar i Parlamentit Studentor, ka thënë se problemi më i madh është me profesorët që njoftojnë në momentin e fundit për mosparaqitjen e tyre në ligjërata.
“Nuk duhet të anashkalohen, por do të adresohen së bashku me menaxhmentin e UP-së dhe ne jemi në koordinim të madh me këshillat studentorë. Zakonisht kemi ankesa që profesorët në momentin e fundit të na njoftojnë që nuk vijnë… me mungesën e profesorëve, ashtu siç kemi mundur t’i identifikojmë, kemi nga Filologjiku, i cili bën ndryshime të ndryshme, kemi edhe nga fakultete të tjera”, ka thënë ai.
Rregullorja për të ardhurat personale të personelit akademik parasheh sanksione për mospërmbushjen e detyrave. KOHA ka kërkuar nga menaxhmenti i UP-së numrin e profesorëve të sanksionuar në tre vjetët e fundit akademikë. Por Rektorati, në përgjigjen e tij pas dy javësh, nuk tregoi për këtë. Vetëm është thënë se janë shqiptuar disa gjoba.
“Ka pasur disa raste kur për shkelje dhe mospërmbushje të detyrave të punës, përkatësisht mosmbajtjes me rregull të orëve të mësimit, dekanët e njësive akademike, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, kanë shqiptuar sanksione financiare, sipas rregullativës në fuqi (Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakulteti i Ekonomisë etj.)”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Në fakt, nuk është hera e parë që nuk ka transparencë mbi numrin e profesorëve dhe identitetin e atyre që janë sanksionuar.
KOHA ka tentuar edhe në vitin 2022 të marrë të dhëna për profesorët “e papërgjegjshëm”, por në Rektorat nuk kanë qenë të qasshëm për këtë çështje.
Sipas Rektoratit, interferim në mosmbajtjen e plotë të procesit mësimor për këtë vit akademik ka ndikuar nisja e ligjëratave më 15 shtator, konkurset për regjistrim të studentëve në master dhe ai për punësimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm.
“Sa i përket këtij viti akademik, meqë sipas Statutit të ri për herë të parë mësimi ka filluar më 15 shtator, dhe meqë ka pasur edhe konkurse për regjistrim të studentëve në master dhe konkurs për bashkëpunëtorë të jashtëm që kanë qenë në procedurë të realizimit, eventualisht mund të kenë interferuar në mbarëvajtjen e plotë të mësimit të planifikuar në javët e para”, thuhet tutje në përgjigje.
Menaxhmenti i ri i UP-së ka bërë të ditur se ka kërkuar nga njësitë akademike që të zëvendësohen të gjitha orët e humbura.
“Një pasqyrë e saktë për zëvendësimet në rastet e tilla presim të dëshmohet edhe me raportet përkatëse të plota që do të dorëzohen në vijim nga njësitë akademike në përputhje me obligimet e tyre”, thuhet më tej në përgjigjen për KOHËN.
Rregullativa nënligjore e universitetit më të madh publik parasheh gjobë prej 50 eurosh për profesorët për një ligjëratë, e për asistentët 25 euro për mungesë në procesin mësimor, mbajtjen e provimeve dhe kujdestarisë.