OpEd
Rekomandime nga një vrasës i lirisë së vet
Demokracia
09:30 | 04 Gusht 2022

Share:

Shkruan: Mero Baze

Ilir Meta ka filluar e flet për lirinë në Shqipëri. Nuk ka rëndësi se çfarë shembuj merr si pozitiv apo negative, se në të dyja rastet i bie më qafë njerëzve. Kur lavdëron dikë natyrisht e bën më pis se sa duhet, dhe kur sulmon dikë natyrisht i bën më shumë nder se sa duhet.

Ndaj nuk po merrem me emra, por me përpjekjen e njeriut që mungesa e lirisë brenda vetes këto 32 vite të rekrutimit të tij, e ka shpërfytyruar, duke e kthyer në një lodër në duart e uzurpatorëve të demokracisë shqiptare pas vitit 1990.

Sa u përket rekomandimeve të tij për modelin e gazetarisë, statistika është shumë e qartë. Ilir Meta po përpiqet të paraqesë si model gazetarinë që heshti dhe e mbrojti, duke e relativizuar dosjen e bashkëpunimit ë tij me Sigurimin e Shtetit.

Njeriu që për 30 vite është në politikën shqiptare i diktuar nga mungesa e lirisë brenda vetes dhe pengmarrja e Sigurimit të Shtetit, ka filluar rekomandon si model gazetarie ata që heshtin për mungesën e lirisë së tij.

I ka vënë në rresht dhe dita- ditës përpiqen ta relativizojnë dosjen e bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, herë duke thënë që nuk ka qenë agjent, herë duke thënë që nuk ka qenë ai po një tjetër, dhe mbi të gjitha, duke përdorur periudhën 30- vjeçare të lulëzimit ë tij si bashkëpunëtor i Digurimi.

Nuk ka lajm më të keq për lirinë e shtypit se sa propagandistët që përpiqen të mbrojnë të shkuarën e një bashkëpunëtori Sigurimi që na ka diktuar 30 vjet. Dhe akoma më keq kur na e bëjnë këtë në emër të së djathtës shqiptare apo të persekutuarve të regjimit komunist.

I vetmi zë i besueshëm i Ilir Metës, kur flet për diktaturën e sotme, është Agim Nesho, njeriu numër 2 i partisë së tij, me emër të ri dhe huqe të vjetra. Ai është i vetmi që ka të drejtë ta konsiderojë regjimin e sotëm në Shqipëri si diktaturë. Duke qenë djali i sekretarit të Enver Hoxhës dhe familje me lidhje të shumëfishta politike në Bllok, që dhe jetën personale, e kurdiste në varësi të grupeve armiqësore, ai nuk ka asnjë arsye ta konsiderojë liri këtë që jetojmë sot.

Ai parajsën e lirisë e ka pasur deri në vitin 1990 në Bllok. Asgjë nuk ja zëvendëson dot më atë liri dhe atë standard jetese që ka pasur atëherë. Normalisht çdo gjë tjetër, përfshi dhe këtë standard lirie që ka sot shoqëria, ai ka të drejtë ta quajë diktaturë, pasi atij ja ka prishur parajsën e tij.

Vetëm se Ilir Meta pas kësaj duhet të na sqarojë se çfarë lirie kërkon të na rikthejë, lirinë e Agim Neshos në diktaturë, apo lirinë që po gëzojnë shqiptarët në demokraci.

Të ngjashme
OpEd • 27 Mars 2024