Lajme
Refuzohet sërish propozimi i mbrojtjes së Enver Sekiraqes për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak
Demokracia
19:44 | 05 Maj 2022

Share:

 Mbrojtja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, përsëri ka propozuar zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes në stacionin policor, por këtë propozim e kundërshtoi prokurori special Haki Gecaj ndërsa trupi gjykues e ka refuzuar.

Një propozim të tillë, avokatja mbrojtëse e të akuzuarit Sekiraqa, Kosovare Kelmendi, e kishte bërë edhe në seancën e kaluar.

Lidhur me këtë propozim ajo tha se vendimin për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak e kanë pranuar, por që të njëjtin nuk e kanë atakuar pasi që sipas saj çështja po i afrohet një epilogu.

Tutje, e njëjta deklaroi se duke u bazuar në përvojën e saj ky gjykim do të zgjatë dhe atë jo shkurt.

“Andaj mbi këto arsye dhe rrethana, e shtuar kësaj edhe respektimin e përpiktë dhe dëshminë e të akuzuarit se absolut i përgjigjet çdo ftese të gjykate dhe respekton çdo vendim dhe duke pas parasysh edhe nevojat për vizita mjekësore unë mendoj se meqë nuk ekziston pas 11 viteve asnjë arsye e mëtutjeshme ligjore për masa të rënda të sigurisë së të pandehurit propozoj gjykatës që të kalojmë në një masë më të lehtë siç është paraqitja në stacionin policor qoftë nevoja çdo dite, qoftë nevoja mëngjes-mbramje” shtoi avokatja Kelmendi.

Propozimin e mbrojtjes e ka mbështetur i akuzuari Enver Sekiraqa, i cili deklaroi se kurdo që gjykata ta ftoj atë, do të jetë prezent në çdo kohë.

“Kam nevoja shëndetësore për disa intervenime kirurgjike, për këtë arsye ma mundësoni që të kem mundësi të trajtohem te mjeku” tha Sekiraqa.

Mirëpo, me këtë propozim nuk u pajtua prokurori special Haki Gecaj, i cili tha se ky propozim është i pabazuar, ngase ende ekzistojnë të gjitha bazat ligjore në bazë të të cilave është vazhduar masa e arrestit shtëpiak dhe se masat tjera më të buta sipas tij janë të pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës në këtë çështje penale.

Ndërsa, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuçi lidhur me këtë propozim, ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar propozimin e avokates Kelmendi, duke e lënë në fuqi aktvendimin e fundit, me të cilin të akuzuarit Enver Sekiraqa i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak.

Tutje, në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitari Osman Mehmeti, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Gecaj, ka thënë se në vitin 2007 kur kishte ndodhur vepra penale kishte qenë Prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë ku sipas tij rreth përfundimit të orarit të punës rreth orës 16:00 kryeprokurori Osman Kryeziu i kishte thënë të dilte në vendin e ngjarjes ku kishin qenë prezent edhe policia e krimeve të rënda,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur se a kishte dalur në vendin e ngjarjes prokurori që ka qenë kujdestar, dëshmitari Mehmeti tha se nuk i kujtohet saktësisht por që prokuror tjetër përveç tij nuk kishte në vendin e ngjarjes.

Tutje, ai ka sqaruar se atë kohë kishte punuar edhe si zëvendës i kryeprokurorit dhe që gjithmonë kishte zbatuar urdhrat e tij.

“Por e di një gjë se vetëm at natë kam qenë në vendin e ngjarjes dhe ditën e nesërme nuk kam pas kurrfarë lidhje me këtë lëndë pasi që policia kur e ka përpiluar kallëzimin penal e ka dorëzuar në shkrimore dhe pastaj e ka marrë prokurori që e ka pas radhën për paraburgim e që nuk e di as kush e ka marr” shtoi dëshmitari.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Gecaj se deri sa kishte qenë në vendin e ngjarjes a ishte dhënë ndonjë emër si i dyshuar që kishte kryer veprën penale,  ai tha se nuk është i sigurt pasi që kjo kishte ndodhur para 15 viteve, por sipas tij për aq sa kishte dëgjuar kishte qenë një person me mbiemrin Berisha.

I pyetur se a kishte dhënë ndonjë udhëzim se duhej të kryhej ndonjë bastisje në ndonjë vend të caktuar lidhur me këtë rast apo a ishte bërë ndonjë kërkesë nga policia, dëshmitari tha se për aq sa i kujtohet në vendin e ngjarjes kishte qenë një polic i krimeve të rënda me mbiemër Gashi i cili kishte thirrur gjyqtarin e procedurës paraprake që kishte qenë Drita Hoxha, për disa bastisje për të cilat i njëjti tha se nuk i kujtohet për ku ishin.

“ Unë si prokuror jam i sigurt që nuk kam marrë pjesë në bastisje dhe as nuk e di se ku janë kanë”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special se për çfarë arsye nuk ishte bërë kontakti më gjyqtaren e procedurës paraprake nga ai por nga policia, dëshmitari Mehmeti tha nuk i kujtohet se a kishte qenë kujdestar dhe se a kishte pasur telefonin e kujdestarisë por që at ditë në vendin e ngjarjes ishte konsultuar me zyrtarin policor me mbiemrin Gashi i cili kishte kontaktuar gjyqtaren e procedurës paraprake.

“Me siguri edhe gjyqtarja ka qenë e njoftume që unë kam qenë prezent dhe se kemi vendosur bashkërisht me njoftu për me na i dhënë urdhëresën gojore për bastisje pasi që nuk ka pas mundësi me marr gjatë orarit të punës urdhëresën” tha ai.

Në anën tjetër, i pyetur nga mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, se a ishte i sigurt që kishte dalur në vendin e ngjarjes në ora 16:00 pasi që në raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes ishte konstatuar nga ana e zyrtarëve policor se ai kishte arritur në vendin e ngjarjes në ora 17:40 dëshmitari tha se nuk e din saktësisht se sa ka qenë ora sepse nuk ka mbajtur kurrfarë shënimi por që sipas tij kishte qenë rreth orës 16:00.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Kelmendi se për çfarë arsye nuk kishte bërë ndonjë kërkesë pasi që ishte në zyrën e tij dhe kishte një kat më poshtë gjyqtaren kujdestare,  dëshmitari tha se pa dalur në vendin e ngjarjes apo pa u bërë vend shqimi, ekzaminimi, konsultimi me policinë nuk kanë pasur mundësi të bëjnë kërkesa pasi që sipas tij nuk kanë qenë në dijeni se çfarë lloj kërkese është e nevojshme për atë rast.

I pyetur se si kishte ardhur situata që zyrtari policor ta kontaktoj gjyqtaren e procedurës paraprake në prezencë të tij e jo ai personalisht, dëshmitari tha se për aq kohë sa ishte prokuror, bashkëpunimi i prokurorit me policinë kishte qenë gjithmonë në nivel dhe gjithmonë kanë marr vendime të përbashkëta pasi që sipas tij ata kanë pasur informacione më të sakta se prokurori.

“Unë personalisht si prokuror kujdestar që kam dal në vendin e ngjarjes kam qenë i informuar se është vrarë një polic e nuk e kam dit as kush ka qenë por që gjithmonë policia i grumbullon të dhënat dhe e njofton prokurorin dhe bashkërisht e kemi thirrur gjyqtaren e procedurës paraprake me telefon të tij ndërsa me gjyqtaren ka folur polici zyrtar me mbiemrin Gashi me telefonin e tij zyrtar”, shtoi ai.

Tutje ai ka sqaruar se gjyqtarja e procedues paraprake e kishte dhënë lejen për bastisje por që nuk e di për cilat lokale dhe për cilat vende.

I pyetur nga avokatja Kelmendi se a e dinte në ato momente se kush ishte i dyshuar për vrasjen e policit apo të ketë dëgjuar në ndonjë moment nga zyrtarët policor të përmendej emri i Enver Sekiraqes, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Tutje pyetjen e të akuzuarit Sekiraqa për dëshmitarin Mehmeti se “a ka mundësi dikush tjetër me dit më mirë se gjykatësja Drita Hoxha në këtë rast a ka lëshuar një urdhëresë ose jo”, prokurori special Gecaj e ka kundërshtuar me arsyetimin që nuk është pyetje për të.

Trupi gjykues ka aprovuar një kundërshtim të tillë duke mos lejuar përgjigjen në këtë pyetje.

Pas kësaj, dëshmitari ka vazhduar përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues se a kishte qenë i pranishëm kur është dorëzuar një foto e personit të dyshuar i cili mban emrin Arben Berisha, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Ai ka sqaruar se pasi që kishte kryer punën e tij në vendin e ngjarjes, nuk ishte interesuar për veprimet konkrete hetimore që janë marrë.

Në fund, dëshmitari tha se ngjarja kishte ndodhur që 15 vite dhe nuk ka çka të shtoj më tepër lidhur me rastin pasi që nuk i kujtohen të gjitha detajet.

Ndryshe në këtë seancë, nuk ishte i pranishëm i dëmtuari Shefqet Riza i cili sipas gjykatësit Kuçi e ka njoftuar gjykatën që shkak për mos prezencën e tij është gjendja jo e mirë shëndetësore.

Po ashtu, në këtë seancë nuk ishin të pranishme as dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili për të cilat më 27 prill 2022 ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndërsa me 29 prill 2022 nga Policia e Kosovës gjykata ishte njoftuar se ishte tentuar kontakti me dëshmitaret mirëpo në adresa të cilat disponojnë asnjë person nuk e kishte hapur derën, dhe sipas tyre kishte qenë e pamundur dorëzimi i ftesës dhe njoftimi për seancën e caktuar për sot.

Po ashtu gjykatësi Kuçi tha se gjykata sot nga Stacioni Policor Qendra përmes telefonit është njoftuar se nuk kanë mundur të kontaktojnë me dëshmitaret Adelina dhe Zanfina Ismaili, ndërsa kontakti është bërë vetëm me dëshmitaren Ema Ismailin, përmes telefonit e cila fillimisht e ka konfirmuar pjesëmarrjen për këtë shqyrtim gjyqësor mirëpo që sot përsëri nuk e kishte hapur telefonin.

“Gjykata sot e ka pranuar një kërkesë nga përfaqësuesi i dëshmitarëve avokati Alban Makolli, përmes të cilës ka kërkuar që të lexohen deklarimet e tyre të njëhershme të dhëna gjatë procedurave gjyqësore ose të njëjtat të mund të deklarohen përmes video-linkut duke përjashtuar mundësinë që të njëjtat të jenë të pranishme fizikisht në sallën e gjykimit  gjithnjë pasi më parë e njëjta të jetë e mbyllur për publikun” ka thënë gjykatësi Kuçi.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor po ashtu ka munguar edhe dëshmitari Abedin Canolli për të cilin sipas gjykatësit Kuçi, nëna e tij ka deklaruar se Abedini nuk gjendet në Kosovë që 8 vite.

“Lidhur me këtë dëshmitar kemi pranuar edhe njoftimin nga Policia për të cilin ka njoftuar se ekziston një urdhër arrest ndërkombëtar dhe ka 5-6 vite që jeton në Francë” tha Kuçi.

Tutje, kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi ka pyetur palët në procedurë lidhur me leximin e deklaratës së dëshmitarit Abedin Canolli për të cilin propozim u pajtua prokurori special Gecaj.

Mirëpo, në anën tjetër një gjë të tillë e ka kundërshtuar mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, Kosovare Kelmendi me arsyetimin që ky dëshmitar është dëshmuar vetëm një herë në polici dhe mbrojtja nuk e kishte pasur mundësinë objektive që ta sfidoj dëshminë e këtij dëshmitari.

“Duke pasur parasysh që në këtë situatë nuk ka ekzistuar barazia e palëve, mbrojtja nuk mund të jap pëlqimin që deklarata e tij kushdo qoftë ai të lexohet, fatmirësisht me aq sa kuptova unë vendndodhja e tij qenka në Francë, e ndoshta do të mund ta realizohej kontakti me të me video-link, madje deri sa të krijohet mundësia e kontaktit të tij ne mund të vazhdojmë me administrim të provave apo procedim të dëshmitarëve më tutje”, tha Kelmendi.

Lidhu me këtë çështje, trupi gjykues do të vendos jashtë shqyrtimit gjyqësor me të cilin vendim sipas gjykatësit Kuçi,  palët do të njoftohen me kohë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 10 maj 2022, ku do të dëgjohet dëshmitari i radhës Naim Rudari.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme