Lajme
Refuzohet kërkesa për ekstradimin e të dënuarit me 12 vite burgim për vrasje të rëndë në Maqedoni të Veriut
Demokracia
14:19 | 05 Qershor 2022

Share:

Gjykata Themelore në Gjilan ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan për ekstradimin nga Kosova në Maqedoni të Veriut, të dënuarin me 12 vite burgim, Avni Ajruli për veprën penale vrasje nga neni 123 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e sanksionuar edhe me Kodin e Republikës së Kosovës vrasje e rëndë nga neni 173.

Vendimi tillë është marrë 26 maj 2022, nga gjyqtari Naser Maliqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetim të vendimit thuhet se Republika e Kosovës ka një marrëveshje me Republikën e Maqedonisë së Veriut mbi ekstradimin, ku në nenin 6, paragrafi 1 thuhet se çdo palë ka të drejtë të refuzojë ekstradimin e shtetasve të saj.

Kurse, në paragrafin 1 thuhet se “shtetas” i Republikës së Kosovës, konsiderohet çdo person që ka shtetësinë e Republikës së Kosovës, në pajtueshmëri me ligjin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës.

Aty thuhet se paragrafi 2 i marrëveshjes thotë se nëse pala e kërkuar nuk ekstradon shtetasit e saj, me kërkesë të palës kërkuese, duhet të paraqitet rasti tek autoritetet kompetente të saj, në mënyrë që nëse konsiderohet e arsyeshme, të iniciohet procedura gjyqësore.

Sipas arsyetimit, duke marrë parasysh Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështje penale, nenin 6, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 dhe marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, neni 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1, e duke marrë për bazë se i dënuari Avni Ajruli është shtetas i Republikës së Kosovës, gjykata ka vendosur që ta refuzojë kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, për ekstradimin e të dënuarit Avni Ajruli, sepse dispozitat e lartpërmendura në mënyrë decidive e ndalojnë ekstradimin e shtetasve të Kosovës.

Sipas vendimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tre ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, i pandehuri Avni Ajruli thuhet se më 26 maj 2003, në Kumanovë në rrugën “Blakoja Parovic”, me një revole të kalibrit të panjohur e ka qëlluar me një plumb në kokë të dëmtuarin tani të ndjerin Erduan Jashari, i cili më pas ka ndërruar jetë.

Me çka, thuhet se ka kryer vepër penale “Vrasje” nga neni 123, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e sanksionuar edhe me Kodin e Republikës së Kosovës vrasie e rendë, nga neni 173.

Të ngjashme