Sport
Refuzohet ankesa e Drenicës, Komisioni i Garave vendos që pikët e plota t’i mbesin Llapit
Demokracia
18:49 | 14 Shkurt 2023

Share:

Komisioni i Garave i FFK-së e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Drenicës për ndeshjen e javës së 19-të kampionale kundër Llapit.

Sipas njoftimit, Komisioni i Garave e ka regjistruar ndeshjen me rezultatin e arritur në fushë (1:0) në favor të ekipit llapjan, shkruan Demokracia.com.

Drenica kishte ushtruar ankesë, lidhur me parregullsinë e regjistrimit të lojtarëve të huaj për Llapin dhe kërkoi që ankesa të miratohet dhe ndeshje të regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të tyre.

VENDIMI I PLOTË:

Refuzohet si e pabazuar ankesa e Klubit të Futbollit Drenica nga Skenderaj dhe ndeshja e javës së 19-të e Albi Mall Superligës së Kosovës, ndërmjet KF Drenica dhe KF Llapi 1932 regjistrohet me rezultat të arritur në fushë, 1:0 në favor të KF Llapi 1932 nga Podujeva.

A r s y e t i m

Komisioni i Garave në mbledhjen e vet të mbajtur me datë 14.02.2023, regjistroi ndeshjet e javës së 19-të të AlbiMall Superligës së Kosovë me rezultat të arritura në fushë, përveç ndeshjes së zhvilluar në Lipjan ndërmjet KF Drenica dhe KF Llapi 1932, për shkak se KF Drenica ka ushtruar ankesë, lidhur me parregullsinë e regjistrimit te lojtarëve të huaj për KF Llapi 1932 dhe kërkoi që ankesa të miratohet dhe ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Drenica.

Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se:

Për Komisionin e Garave, sipas Nenit 71 Paragrafi 1 të RegullorEs së Garave janë pëRmbushur të gjitha kushtet për administrim dhe vendimmarrje lidhur me ankesën.

Komisioni i Garave ka kërkuar nga Departamenti i FFK-së për regjistrim të lojtarëve dhe sipas nenit 51 të Rregullores së Garave paragrafi 6 në Superligën e Kosovës maksimum mund të regjistrohen dhe licencohen 6 lojtarë të huaj dhe të cilët mund të paraqiten në protokollin zyrtar të ndeshjes.

Bazuar në konfirmimin e Departamentit të regjistrimit të FFK-së të datës 14.02.2023 dhe sipas shënimeve në sistemin FIFA TMS dhe FIFA CONNECT konfirmohet se kemi 6 lojtarë të regjistruar në menyrë të rregullt të cilët janë: 1.Francisco Isreael Rivera Davalos, 2.Aleksandar Milic, 3.Fernando Augusto Rodrigues De Araujo, 4.Bianor Das Graças Lima Da Silva Neto, 5.Martin Christofi dhe 6.Alef Firminho Dos Anjos.

Me datën 26.02.2022 kemi pranuar certifikaten ndërkombëtare ITC për lojtarin Fernando Augusto Rodrigues nga Federata e Brazilit, rrjedhimisht regjistrimi ne klubin e futbollit KF Llapi 1932 është valid dhe aktiv.

Ndërkaq procedurat për regjistrimin e lojtarit Alex Raoul Leyi kanë filluar në sistemin FIFA TMS mirëpo nuk është përfunduar procedura e regjistrimit në sistemin FIFA Connect. Rrjedhimisht, lojtari nuk është i regjistruar nëse nuk kompletohet regjistrimi në FIFA Connect.

Pasi që lojtari i lartëshënuar nuk është i regjistruar në FIFA Connect dhe klubi KF LLapi 1932 i ka maksimumin e gjashtë lojtarëve të huaj të regjistruar, konstatohet se nuk ka shkelje të nenit 51 paragrafi 6 të Rregullores së Garave dhe ankesa e KF Drenica konsiderohet e pabazuar si dhe ndeshja e javës së 19-të të Albi Mall Superligës ndërmjet KF Drenica – KF Llapi 1932 regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë 1:0 në favor të KF Llapi 1932.

Nga theksimet e lartëshënuara u vendos si në dispozitiv./Demokracia.com/

Të ngjashme