Lajme
OVL UÇK: Ndërkombëtarët të shqyrtojnë moslirimin e përkohshëm të ish-bashkëluftëtarëve nga Specialja
Demokracia
18:17 | 21 Maj 2025

Share:

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar me indinjatë dhe shqetësim të thellë ndaj vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar kërkesën për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në reagimin e saj zyrtar, OVL UÇK e konsideron këtë vendim si një tjetër dëshmi të padrejtësisë që po u bëhet përfaqësuesve të luftës çlirimtare të Kosovës. Sipas kësaj organizate, mënyra e trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së nga kjo gjykatë jo vetëm që është e padrejtë, por paraqet edhe një pengesë serioze në përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje ndërkombëtare për luftën e saj të drejtë për liri dhe pavarësi.

“Ky vendim është një hap prapa në përpjekjet për drejtësi dhe barazi ndërkombëtare. Bashkëluftëtarët tanë meritojnë trajtim të drejtë dhe objektiv, e jo diskriminim të vazhdueshëm,” thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL UÇK.

Organizata u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare që të shqyrtojnë me objektivitet situatën dhe të marrin masa për t’i dhënë fund, siç e quan ajo, trajtimit të padrejtë ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë luftën tonë të lavdishme për liri dhe do të qëndrojmë gjithmonë pranë atyre që sakrifikuan gjithçka për një të ardhme më të mirë për popullin tonë,” përfundon reagimi i OVL UÇK-së.

Të ngjashme