Kombëtarja e Kosovës në futboll të hënën do të grumbullohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për ta nisur një ëndërr të re për popullin tonë, atë të kualifikimit për Kampionatin Botëror.
Padyshim, pandemia si për Kosovës ashtu edhe për të gjitha vendet tjera vazhdon të sjellë telashe të mëdha, megjithatë për vendin tonë ka edhe një telashe tjetër, atë të hezitimit të disa lojtarëve për t’ju bashkuar ekipit kombëtar.
Kjo gjë po e dëmton shumë Kosovën dhe atë jo vetëm në aspektin e skuadrës, por edhe për imazhin ndërkombëtare. Mediet e huaja vazhdojnë të shkruajnë sesi Kosova po refuzohet nga lojtarët e saj dhe kjo nuk po tingëllon aspak mirë.
Futbollisti i njohur Kemal Ademi, ditë më parë zhgënjeu kur iu lut trajnerit serb Petkoviç për një ftesë te Zvicra. “Do të isha shumë i lumtur nëse trajneri i Zvicrës thotë se ka nevojë për mua”, kishte thënë në mënyrë skandaloze Ademi i cili dorën në zemër nuk është i vetëm.
Sikurse ai, hezitim kanë edhe yjet tjerë si: Andi Zeqiri, Mërgim Berisha e Toni Domgjoni që zgjodhën Zvicrën U21 para Kosovës.
Fatmirësisht të tillë nuk janë të gjithë. Një deklaratë e dhënë sot nga ylli i Kosovës, Arbër Zeneli duhet të jetë shembull për ata që po i vendosin interesat e tyre personale para interesave kombëtare.
“Ndjenjat e mia janë të veçanta sepse kam pasur mundësi të luajë me Përfaqësuesen e Suedisë. Por, e kam dëgjuar zemrën, dhe ajo më drejtoi te vendlindja e prindërve të mi, prandaj e zgjodha Kosovën”, ka thënë Zeneli.
Trajnerët që dikur dhanë shumë për futbollin tonë, duke e rrezikuar edhe jetën në kohët e okupimit, Ajet Shosholli dhe Afrim Tovërlani në një bisedë për Demokracia.com, kanë thënë se ata që i thonë jo vendit të vetë ata në njëfarë forme nuk ndihen as shqiptarë.
Shosholli: Ka ardhur koha që këta futbollistë ta duan kombin e prindërve të tyre
“Kulminacioni i një sportisti në karrierën e tij si sportist është që të luajë apo të jetë pjesë e kombëtares së kombit të vetë dhe gjithë cilësinë dhe kualitetin që e ka ta afrojë në dispozicion për kombëtaren e vetë. Sa i takon Kosovës (për shkak të rrethanave të ditura) shumë futbollistë që luajnë në Ligat europiane kanë emigruar si fëmijë në perëndim apo disa prej tyre edhe kanë lindur atje.
Por këta futbollistë duhet të kenë ndjenjat patriotike për kombin e tyre dhe të prindërve të tyre”, ka thënë fillimisht Shosholli për Demokracia.com duke shtuar:
“Pavarësisht se ku kanë lindur pa hezitim duhet të pranojnë ftesën e Kombëtares së Kosovës, sepse me pjesëmarrjen e tyre në kombëtaren tonë e ruajnë dhe e ngrisin imazhin e shtetit, si shteti më i ri në botë që jemi”, vlerësoi trajneri legjendar.
Kosova sot është e lirë dhe e barabartë me të gjitha vendet tjera, por të gjithë duhet kujtuar rrugëtimin se në çfarë ka kaluar ky vend dhe sa sakrificë është bërë për ta sjellë deri këtu.
“Më duhet t’ua përkujtojë të gjithë këtyre futbollistëve se Kosova në kohërat më të vështira (prej vitit 1991 e ka formuar Kombëtaren e vetë) dhe shumë futbollistë profesionistë në atë kohë kanë rrezikuar karrierën profesionale, bile edhe jetën, vetëm që Kosova ta ketë kombëtaren e vetë, e që ndjej kënaqësi e njëherësh edhe krenari që isha seleksionus në ato kohëra të vështira dhe të rrezikshme, e gjeneratës së parë që e përfaqësuam Republikën e Kosovës. Sot kemi shumë futbollistë kulmorë me renome botërore si Messi, Ronaldo e shumë të tjerë që luajnë në shtetet e tjera, por ata gjithmonë janë në dispozicion të shtetit të tyre, gjegjësisht të kombëtares së tyre”, vlerësoi Shosholli.
Ai ka kujtuar Kroacinë një shtet që u formua jo shumë kohë para nesh, por ja që sot ka prekur majat e futbollit botëror asi lojtarët kroatë nuk ia kthejnë shpinën atdheut të vetë.
“Rast eklatantë është Kombëtarja e Kroacisë e cila ka shumë futbollistë që luajnë në klube të mëdha europiane, Modric, Raketic, Kovacic apo Perisic i cili edhe nuk ka lindur në Kroaci, por luan në Kombëtarën e Kroacisë dhe nuk është regjistruar ende ndonjë rast ku ndonjë kroat ka refuzuar të jetë pjesë e Kombëtares së Kroacisë”, tha Shosholli
“Baca Ajet” si e njeh komuniteti sportiv në vendin tonë u ka bërë thirrje të gjithë atyre që marrin ftesë asnjëherë të mos e refuzojnë atë por të ndihen krenarë që u jepet kjo mundësi.
“Mendoj që është e rrugës që të gjithë futbollistët me prejardhje shqiptare t’i përgjigjen ftesave të FFK-së dhe të jenë pjesë e kombëtares dhe ta përmbushin obligimin kombëtar ndaj shtetit nga e kanë edhe prejardhjen e tyre”, përfundoi Ajet Shosholli.
Tovërlani: Disa futbollistë po e shikojnë interesin personal e jo interesin kombëtar
Shumë më kritik ndaj atyre që po i thonë “JO” Kosovës ka qenë trajneri i mirënjohur Afrim Tovërlani. Sipas tij, ata lojtarë që një herë hezitojnë të thonë po, të mos ftohën më kurrë tek Kosova.
“Mendoj që disa janë duke shikuar vetëm interesin personal dhe po te isha unë asnjërin nuk do ta lutja dy herë. Nëse nuk e ndjejnë me zemër e shpirt Kosovën, atëherë as që na duhen”, ka vlerësuar për Demokracia.com Tovërlani.
Sipas teknikut prishtinas, e keqja tjetër është se disa lojtarë duke e përdorur emrin e Kosovës por synojnë të fitojnë në karrierë.
“Disa po luajnë me kartën që nëse nuk me merr Kosova shkoj te Shqipëria. Këtu nuk ka asgjë të keqe, por nëse ai që nuk dëshiron nuk na duhet sepse me kalimin e një periudhe të shkurtër konkurrenca do të rritet dhe nuk do të ketë vend për të gjithë por vetëm për më të mirët”, ka përfunduar Afrim Tovërlani.
Të kujtojmë që Kosova me 24 mars do të ndeshet me Lituaninë në një miqësore, ndërsa me 28 mars dhe me 31 mars luan me Suedinë përkatësisht Spanjën në kuadër të kualifikimeve, dhe sigurisht sikur trajneri Bernard Challandes t’i kishte në dispozicion të gjithë ata futbollistë që refuzuan Kosova do të dukej shumë më e madhe dhe më e mirë në arenën ndërkombëtare. /Demokracia.com