Lajme
Reforma në arsim| Si po e fiton Kastrati betejën me Vetëvendosjen
Demokracia
23:47 | 03 Shtator 2022

Share:

Mbi 1500 ditë mësimi, diku 75 mijë orë mësimore i kanë humbur fëmijët e fshatrave Petroc, Topanicë, Karaçevë e Epërme, Karaqevë e Poshtme, Shipashnicë e Epërme dhe Hogosht.

Krejt kjo si pasojë e një betejë politike e shndërruar edhe në betejë ligjore, ndërmjet ish kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe ish partisë ku bënte pjesë, e rivalit më të madh tash e një kohë, Lëvizjes Vetëvendosje.

VV e Kastrati idenë e reformës në arsim, e kishin prezantuar së bashku disa herë.

Kur ky i fundit u nda nga ta, nuk u nda edhe nga ideja për riorganizim të sistemit arsimor.

Reformën e nisi, u përballë me pakënaqësi, u kundërshtua nga ish partia, shkuan në gjykatë, ia ndërruan vendimin prej ministrisë, doli se e shkelën kushtetutën, ia fituan zgjedhjet, ia ndërruan vendimin edhe në komunë, e krejt kjo deri në këto momente ka mbetur “peng” i proceseve gjyqësore.

Deri më tash, Kastrati ka fituar betejën ligjore me Vetëvendosjen, ani pse ende nuk kemi vendim përfundimtar të gjykatës.

Gjykata Supreme së fundmi dha edhe një sinjal se Kastrati ishte në të drejtën e tij

Gjykata Supreme e ka lënë në fuqi vendimin e ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, për mbylljen e shkollave në kuadër të reformës së arsimit. Kjo pasi kryetari aktual kishte kërkuar rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit.

Vendimi i sotëm i Supremes do të thotë së vendimi i Kastratit për reformë mbetet në fuqi, e ai i Rahimajt shtyhet, deri në një vendim meritor të gjykatës, i cili ende nuk është dhënë.

Gjykata e Apelit kishte vendosur që vendimi i Komunës së Kamenicës duhet të mos ekzekutohet, pasi që për të ka pasur një kontest gjyqësor.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga e paditura, Komuna e Kamenicës, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit – Departamenti për Çështje Administrative, a nr.202/2022, i datës 21.03.2022”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Para këtij vendimi ishin edhe disa vendime të tjera.

Njëherë Gjykata Themelore pati vendosur ta pezullojë vendimin e Kastratit për reformë, duke iu dhënë të drejtë 25 prindërve që patën dorëzuar një kërkesë të tillë.

Pastaj Apeli e kishte prishur këtë vendim, duke thënë se nuk pati fakte të mjaftueshme për një gjë të tillë.

Reforma vazhdoi, dëri në momentin kur pushtetin qendror e mori Vetëvendosje. Atë kohë ministrja Nagavci, duke bërë shkelje Kushtetuese, pati vendosur ta ndalë reformën e nisur nga Kastrati, e krejt kjo në kohë zgjedhjesh lokale, çka ia mundësuan kandidatit të VV-së Kadri Rahimajt fitoren në këtë komunë.

Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë të drejtë Kastratit po ashtu

Ish-kryetari Kastrati, i ka thënë Gazetës Nacionale se e ka pritur edhe këtë vendim dhe se ky vendim është indikacion për vendimin meritor, i cili pret t’i jep të drejtë.

“Vendimi i Supremes ka qenë i pritshëm nga unë. Është vendim i drejtë. Vendimi im për reformë atë kohë, ka qenë vendim i drejtë, duke respektuar të gjitha standardet europiane e po ashtu legjislacionin e Republikës së Kosovës.

Sistemi gjyqësor i Kosovës, po vonohet në vendime por në fund siç po shihet po merr vendime të drejta.

Ka qenë mjaft sfidues, procesi deri tash. Kemi pasë vendim edhe prej Gjykatës Kushtetuese i cili i jep të drejtë reformës.

Mendoj se ky mos aprovim për masë të përkohëshme është indikacion që gjykata do t’i jep të drejt venimit tonë edhe në mënyrë përfundimtare”, ka thënë Kastrati

Tutje Kastrati ka potencuar se ministrja e arsimit, Nagavci, dhe kryetari aktual, Kadri Rahimaj, e kanë shfrytëzuar në mënyrë antikushtetuese pozicionin e tyre për t’i fituar zgjedhjet në Kamenicë.

“Rezultati në këto 5 fshatra ku është paraparë reforma, e ka diktuar rezultatin e përgjithshëm zgjedhor, sepse pa votat e këtyre fshatërave, unë do i fitoja zgjedhjet. Diferenca e votve ka qenë dikun 1 mijë, kurse këto fshatra kanë qenë 2 mijë vota. Ministrja e Arsimit si dhe kryetari aktual mashtruan fshatrat se do ta ndalin reformën në drejtësi, mirëpo po del ashtu siq e kam paralajmëruar se kjo është anti kushtetuese dhe anti ligjore” ka shtuar ish-kryetari i Kamenicës.

Kujtojmë se fushata parazgjedhore në Kamenicë, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje ishte koncentruar kryesisht në premtimin për ndaljen e reformës në arsim, duke u premtuar qytetarëve të këtyre 5 fshatrave, se do t’i hapin shkollat të cilat Kastrati i kishte mbyllur.

E për këtë, kryetari aktual Rahimaj e mori edhe përkrahjen e ministres së arsimit, Arbërie Nagavci, e cila kishte marrë vendim për hapjen e këtyre shkollave.

Gjykata Kushtetuese, këtë vendim e cilësoi si antikushtetues, duke treguar se vendimet e tilla i takojnë pushtetit lokal e jo ministrisë.

Gjithashtu edhe Kushtetuesja e refuzoi kërkesën për masë të përkohshme.

“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses” thuhej në vendimin e Kushtetueses.

Tashmë kemi një proces të gjatë në mes Kastratit, Rahimajt e Nagavcit.

Deri më tani, Kastrati ka fituar “betejën ligjore” me Nagavcin, e edhe më tutje, deri në një vendim meritor të gjykatës, do ta vazhdojë “betejën” me Rahimajn.

Vendimi i fundit i Supremes i jep shpresë Kastratit se ishte në të drejtën e tij, kur vendosi për reformën.

Të ngjashme