Lajme
Reeker tregon atmosferën e dialogut në Bruksel kur e përfaqësonte Uashingtonin: Pati zëra kundër pranisë amerikane
Demokracia
15:13 | 15 Shtator 2023

Share:

Ish i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, ka thënë në Prishtinë se sheh ndryshim të madh në zhvillim të Kosovës, në krahasim kur ka qenë në këtë vend, më shumë se një dekadë më parë.

Duke e komentuar dialogun, Reeker ka thënë se fillimisht ka pasur zëra që nuk e kanë dëshiruar prezencën amerikane në këtë proces.

“Herën e parë që udhëtova në Bruksel, më thanë që të ulesha diku në qoshe të dhomës. Në fund të diskutimeve ata më pyesnin për ide e qëndrime të SHBA-së rreth procesit dhe më pas më ftuan në tavolinë të dialogut”.

Ai ka thënë se i gjithë përparimi që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, është sepse ato kanë dashur diçka të tillë.

“Nëse ka pasur sukses është sepse dy palët kanë dashur të ketë sukses, duke i lënë anash emocionet dhe kanë arritur marrëveshje që do të mund të ofronin mundësi më të mira për qytetarët. Prandaj ekziston diplomacia”.

Ai ka thënë se ekzistenca e BE-së është shembulli më i mirë se çfarë vendimesh duhet të marrin liderët, duke e përmendur se si është formuar blloku evropian – në të mirë të qytetarëve – duke i tejkaluar dallimet që ekzistojnë mes 27 vendeve anëtare.

“Ajo që ka ndodhur 10 vjet më parë ka qenë e jashtëzakonshme dhe ka treguar se çfarë mund të bëhet”, ka thënë diplomati i pensionuar amerikan, duke iu referuar marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2013.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Të ngjashme
Lajme • 06 Dhjetor 2024