Lajme
Reçica për problemet me Komunën e Prishtinës: Qëllimi janë tenderët korruptivë
Demokracia
20:56 | 20 Maj 2025

Share:

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka thënë se e gjithë situata aktuale me menaxhimin e mbeturinave në kryeqendër e ka një qëllim – tenderët korruptivë.

“Narrativa politike e ka një qëllim tjetër. Qëllimi i vërtetë janë tenderët e jashtëligjshëm që po i bëjnë. Është ana korruptive masive që po tentohet me bë. I jemi drejtuar Prokurorisë, Policisë. Shumë shpejt do të dalin e merren vesh gjitha veprimet e bëra”, ka thënë Reçica në “Konfront” të KTV-së.

Ai ka thënë se rregullorja e miratuar në Kuvendin Komunal thotë se pagesa për menaxhimin e mbeturinave duhet bërë te ndërmarrja “Pastrimi”, por Komuna ka bërë thirrje të bëhet direkt në Komunë, duke u bazuar në një “mendim të marrë nga zyra ligjore”.

“Hipotetikisht kanë menduar se duhet pezulluar rregullorja, sepse zyra ligjore ia ka dhënë një mendim të tillë. Me një mendim ligjor, e kanë pezulluar një rregullore, akt të nxjerrë nga Kuvendi Komunal”, tha Reçica.

Reçica, ka thënë se Komuna e Prishtinës i ka shkaktuar dëme të rënda financiare ndërmarrjes “Pastrimi”. Ai ka thënë se një pjesë në administratë është prapa me paga, e se punëtorët e operativës i kanë marrë me kohë por me vështirësi.

“Gjendja e rënduar financiarisht sot ka ardhur si rezultat i shumë veprimeve dhe po tentohet të krijohet kinse sot u bë një problem dhe ‘Pastrimi’ e ndali punën për shkak të narrativës që po tentohet të ngritet në nivel politik e që nuk ka të bëjë fare sepse problemi qëndron direkt në Komunë. Veprimet e fundit të tyre kanë krijuar dëme të pariparueshme financiare dhe dëme jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë ai në “Konfront”.

Reçica ka theksuar se Komuna e ka dëmtuar sidomos ndërmarrjen me angazhimin e operatorëve privatë.

“Prej vitit 2024 kur kanë angazhuar operatorët privatë ka filluar të dëmtohet financiarisht ndërmarrja jonë. Mbi 3.5 milionë euro kemi borxhe dhe dëm financiare. E para është paguar operatori privat nga paratë tona. Vetë komuna negocion, vetë e kontrakton dhe negocion në formë të mbyllur…”, ka thënë tutje ai.

Të ngjashme