Sport
Reali e Milani e kërkojnë konfirmimin, Chelsea e Napoli përmbysjen
Demokracia
09:20 | 18 Prill 2023

Share:

Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me dy ndeshje të kthimit çerekfinale.

Real Madridi dhe Milani do të mundohen t’i ruajnë epërsitë e krijuara në duelet e para të kësaj faze.

“Los Blancos” e mposhtën Chelsean në “Santiago Bernabeu” javë e kaluar me rezultat 2:0.

Andaj, Carlo Ancelotti me trupën e tij do të zbresë në fushën e “Stamford Bridge” për ta menaxhuar sa më mirë kapitalin e krijuar dhe me këtë rast ta presë një biletë për në gjysmëfinale.

Nga ana tjetër, “Blues” përkundër faktit se po kalojnë momente të vështira, me trajnerin Frank Lampard do t’i hyjnë kësaj loje “all-in”, duke e kërkuar përmbysjen dhe mrekullinë.

Edhe dueli tjetër i natës mes Napolit dhe Milanit pritet të jetë mjaft interesant.

“Rossoneri” e krijuan një avantazh në lojën e parë në “San Siro”, ku fituan minimalisht, 1:0.

Ata kanë shkuar në Napoli me bindjen se do ta administrojnë sa më mirë këtë rezultat dhe të ecin tutje.

Sidoqoftë, ndryshe mendojnë napolitanët, të cilët përpara tifozëve të tyre të zjarrtë e kanë për qëllim përmbysjen e rezultatit në stadiumin “Diego Armando Maradona”, shkruan Express.

Ekipit “Azzurri” i rikthehet sulmuesi kryesor, Victor Osimhen, i cili mungoi në dy përballjet e fundit me Kuqezinjtë.

Pra, Reali dhe Milani janë favoritë të lehtë për të shkuar në gjysmëfinale, por ju nevojiten edhe 90 minuta për ta siguruar kualifikimin.

Ndeshjet e sotme do të fillojnë në orën 21:00.

Të ngjashme