Inati i Real Madridit ndaj gjyqtarit të finales së Kupës së Mbretit shënoi uverturën, ndeshjen dhe gjithçka që pasoi El Clasicon për trofeun.
Barcelona mposhti rivalin e saj më të madh me rezultat 3-2 dhe fitoi Kupën e Mbretit, por vëmendjen kryesore e mori sjellja e Real Madridit ndaj gjyqtarit Ricardo de Burgos Bengoetxea. Në këtë ndeshje, gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq tre lojtarë të Real Madridit. Para finales, kampioni aktual i Spanjës dhe Evropës publikoi një video duke denoncuar vendime të diskutueshme që, sipas tyre, favorizonin Barcelonën.
Pas kësaj, De Burgos Bengoetxea reagoi me një deklaratë emocionale, duke zbuluar se djali i tij ishte ngacmuar në shkollë për shkak të kësaj fushate.
Pasi ndeshja përfundoi në kohën shtesë, Jude Bellingham u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë për sjellje agresive ndaj gjyqtarit pas fishkëllimës së fundit. Antonio Rüdiger mori karton të kuq për hedhjen e akullit drejt gjyqtarit, ndërsa Lucas Vázquez u ndëshkua për protesta të ashpra në fushë.
“Një e keqe shqetësuese”
Sjellja e Real Madridit u kritikua ashpër nga gazeta prestigjioze franceze L’Équipe, e cila shkroi: “Veprimet e Real Madridit para dhe gjatë finales së Kupës së Mbretit tregojnë një të keqe shqetësuese. Reali sillet sikur është mbi rregullat që vlejnë për të gjithë të tjerët, duke u larguar nga vlerat e respektit dhe sportivitetit që pretendon të mbrojë”.
“Real Madrid po sillet si një fëmijë i llastuar që nuk duron dot humbjet. Përjashtimet e Vázquez, Bellingham dhe Rüdiger janë kulmi i nervozizmit dhe pafuqisë që ka karakterizuar këtë sezon. Kriza që po përjeton Reali nuk është vetëm sportive, por edhe etike dhe imazhi i tij po pëson goditje”, shkruan ky medium.
Krizë sportive dhe imazh në rënie
Gazeta thekson se Real Madrid nuk ka nevojë vetëm për rindërtimin e skuadrës, por edhe për përmirësimin e reputacionit: “Tensionet para ndeshjes, protestat ndaj gjyqtarëve dhe incidentet gjatë finales kanë lënë një përshtypje shumë negative. Nuk është vetëm çështja e ndëshkimeve individuale; Reali po përballet me një krizë serioze të imazhit që mund të sjellë ndryshime të thella në klub”.
“Sezoni i shënuar nga paqëndrueshmëria dhe zhgënjimi tregon se Real Madrid duhet të bëjë një reflektim të thellë – jo vetëm për të ndërtuar një ekip të ri konkurrues, por edhe për të rikthyer dinjitetin dhe madhështinë që i ka shoqëruar emrin në historinë e futbollit”, përfundon shkrimi i L’Equipe.
Mbretërit rrezikojnë që këtë sezon të mbesin pa asnjë trofe, pasi në garë kanë mbetur vetën në La Liga dhe atë katër pikë pas Barcelonës.